Hoxha pret homologun izraelit, nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar.

Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

Ministri Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Gjatë vizitës, ministri Hoxha dhe homologu i tij nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.

Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit,ministri Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.

Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, ministri Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë.

Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër