Balla: PS, e hapur për votimin elektronik në disa bashki

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Partia Socialiste mbështet përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore duke nisur me votimin dhe numërimin elektronik.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh sot se mazhoranca gjithmonë ka shtruar nevojën për t’i gjetur zgjidhje për t’i dhënë fund asaj situate që krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve, ku duhen ditë të tëra numërimi për të shpallur rezultatin përfundimtar.

I pyetur gjatë prononcimit për gazetarët pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla u shpreh se mazhoranca është e gatshme të diskutojë zbatimin e votimit elektronik në disa bashki, në varësi të vlerësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ nisi konsultimin me partitë parlamentare në lidhje me zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, ku Partia Demokratike u shpreh kundër numërimit elektronik në të gjitha bashkitë.

Ndërkaq, sipas Ballës, mazhoranca është dakord nëse KQZ-ja mendon që duhet të jenë tri, katër, pesë bashki.

Ai iu referua edhe përvojave të mëparshme të votimit elektronik, duke argumentuar se kjo metodë mund të ndihmojë në rritjen e besimit te procesi zgjedhor dhe në përshpejtimin e shpalljes së rezultateve.

I pyetur për propozimin e balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e bashkive, ai u shpreh kundër zgjedhjes së tyre në dy raunde.

“Personalisht jam kundër zgjedhjes së tyre në dy raunde”, deklaroi Balla, duke shtuar se mazhoranca do të shprehet për këtë çështje pasi të ketë një propozim konkret.

Në lidhje me datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, Balla theksoi se kompetenca për caktimin e saj i takon Presidentit të Republikës, në përputhje me parashikimet ligjore.

Ai përmendi si periudhë të mundshme një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit 2027.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër