FMN: Rritja ekonomike e Shqipëri 3,5%, inflacioni pritet në 3,2%

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2026, nga 3,4% në 3,5%, ndërsa pret ulje të inflacionit dhe përmirësim të bilancit të llogarisë korrente.

Sipas raportit të publikuar sot “World Economic Outlook”, ekonomia shqiptare pritet të ruajë një ritëm rritjeje prej 3,5% këtë vit, ndërsa për vitin 2027 parashikimi mbetet në 3,2%.

Në raport me vlerësimin e prillit, FMN ka ulur me 0,2 pikë përqindjeje parashikimin për inflacionin mesatar në Shqipëri gjatë vitit 2026, në 3,2%, nga 3,4%. Për vitin 2027, inflacioni pritet të jetë po 3,2%, kundrejt 3,1% që parashikohej më parë.

Përmirësim paraqitet edhe në parashikimet për llogarinë korrente, që pasqyron marrëdhëniet ekonomike të vendit me jashtë. Deficiti i saj pritet të jetë 2,1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026, nga 2,8% në vlerësimin e mëparshëm. Për vitin 2027, FMN parashikon deficit në 2,5% të PBB-së, kundrejt 3,4% që pritej në prill.

Ndërkohë, norma e papunësisë në Shqipëri parashikohet të qëndrojë në 8,7% si në vitin 2026, ashtu edhe në vitin 2027.

Në nivel global, FMN parashikon rritje ekonomike prej 3,1% në vitin 2026 dhe 3,4% në vitin 2027. Sipas raportit, ekonomia botërore ka treguar qëndrueshmëri përballë tensioneve gjeopolitike dhe tregtare, si dhe rritjes së çmimeve të energjisë, e mbështetur nga aktiviteti ekonomik dhe investimet në teknologji.

Megjithatë, institucioni vlerëson se perspektiva globale vijon të përballet me rreziqe, përfshirë konfliktet, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguritë në tregjet financiare.

Inflacioni global parashikohet të arrijë në 4,7% në vitin 2026 dhe të ulet në 4,1% në vitin 2027. FMN paralajmëron se goditjet e reja në tregjet energjetike mund të shtojnë presionet mbi çmimet, ndërsa përqendrimi i investimeve në një numër të kufizuar kompanish dhe ekonomish mund të rrisë rreziqet për tregjet.

Në këtë kontekst, FMN nënvizon rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, forcimit të rezervave fiskale dhe zbatimit të reformave strukturore për të përballuar më mirë goditjet e mundshme ekonomike.

https://www.imf.org/en/publications/weo/issues/2026/10/13/world-economic-outlook-october-2026

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër