PS dhe PD debate për ngritjen e Komisionit të posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike u largua nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua propozimi i Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ftoi PD-në të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

“Përfaqësuesit e PD-së u larguan pa kuptuar atë që donim të thoshim ne. Edhe Partia Demokratike, sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki, ndërsa Territorialja është votuar në parlament”, u shpreh ai për mediet.

Balla sqaroi se thelbi i diskutimit ka qenë se çfarë kompetencash do i transferojnë pushtetit lokal.

“Nëse e kanë me merak këtë problem, të vijnë në Komision. Hajde të diskutojmë edhe për fondet që do ndahen për bashkitë”, apeloi Balla.

Ai nënvizoi se reforma duhet të përmbyllet në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, të cilat do të zhvillohen në 61 bashkitë e vendit.

Nga ana e saj, deputetja e PD-së në Konferencën e Kryetarëve, Jorida Tabaku u shpreh se kjo parti do të mbledhë grupin parlamentar për të vendosur nëse do të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Pas mbledhjes, ajo u shpreh për mediet se PS kishte sjellë në mbledhje të njëjtën përmbajtje të Komisionit të Territoriales që përfundoi në mënyrë të njëanshme duke hequr 15 bashki të enjten e shkuar.

“Për mua përveç se është tallje edhe me Kuvendin edhe me qytetarët është njëkohësisht edhe minimumi i seriozitetit që grupi parlamentar i Partisë Socialiste pati sot”, tha ajo.

Po ashtu, Tabaku deklaroi se edhe vendimi për dërgimin e hartës së re territoriale në Gjykatën Kushtetuese do të diskutohet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

“Në një vend ku parlamenti nuk funksionon në shërbim të qytetarëve, ku nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku hapësira është gjithmonë e më e vogël, unë nuk besoj që ka hapësirë shumë edhe për opozitën për të operuar. Duke pasur parasysh faktin që unë e kam theksuar dhe e theksoj gjithmonë, që ne duhet patjetër që të jemi në institucione, se nuk jemi për Partinë Socialiste, jemi për qytetarët, ne proceset ligjore i ndjekim deri në fund, i shohim deri në fund. Këtu në këtë rast kemi edhe shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër