Hapet shtëpia-muze e shkrimtarit Dritëro Agolli në Menkulas, Begaj: Akt mirënjohjeje kombëtare

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së shtëpisë-muze të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit, me rastin e përvjetorit të 95-të të lindjes.

Kreu i Shtetit vlerësoi figurën e Dritëro Agollit si një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, i cili, përmes veprës së tij, e bëri vendlindjen pjesë të pandashme të identitetit kombëtar.

“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”, theksoi Begaj.

Hapja e shtëpisë-muze, theksoi Presidenti Begaj, përfaqëson një akt mirënjohjeje kombëtare ndaj shkrimtarit, por edhe një investim me vlerë për trashëgiminë kulturore.

“Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit evidentoi aftësinë e Dritëro Agollit për të pasqyruar jetën dhe botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, mjeshtërinë e përdorimit të gjuhës shqipe, çka e bëri një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të letërsisë shqipe.

“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, tha Begaj.

Krahas figurës së Agollit si shkrimtar, Presidenti vlerësoi dhe kontributin e tij si intelektual në debatet shoqërore, sidomos gjatë ndryshimeve të viteve ’90. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në ruajtjen e kujtesës dhe trashëgimisë së Dritëro Agollit, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për të ardhmen, veçanërisht për edukimin e të rinjve.

Më herët, Presidenti Begaj u prit në Bashkinë e Devollit nga Kryetari, Eduard Duro, dhe Prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj.

Kreu i Shtetit i përgëzoi ata për nismat në shërbim të zhvillimit të zonës dhe vlerësoi shpirtin punëtor e sipërmarrës të devollinjve.

Gjatë vizitës në Devoll, Kreu i Shtetit u ndal edhe në Teqenë e Inonishtit në Kuç dhe në kishën e Shën Kollit në Hoçisht, dy monumente fetare me vlera historike të zonës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër