Ibrahimaj: Mbi 15 filiale bankash të dëmtuara, depozitat e qytetarëve janë të sigurta

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vizitoi sot nga afër një filial banke të dëmtuar gjatë protestave të dhunshme të ditëve të fundit, duke garantuar qytetarët për sigurinë e depozitave të tyre dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar.

Ibrahimaj bëri të ditur se mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës, duke prekur ambientet ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe paguajnë faturat.

“Janë mbi 15 filiale bankash, të cilat janë goditur nga dhuna e ditëve të kaluara. Aty ku marrin pagat, aty ku kryhen transaksione, paguajmë faturat. Në jetën tonë të përditshme ne i drejtohemi shërbimeve që bankat ofrojnë”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se dëmtimi i filialeve nuk cenon sigurinë e depozitave, pasi ato janë pjesë e një sistemi financiar të mbikëqyrur dhe të mirëkapitalizuar.

“Unë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët që depozitat e tyre janë të sigurta. Depozitat nuk qëndrojnë nëpër sirtarë të degëve të bankave. Ato janë në një sistem financiar të shëndoshë, i cili është i mbikëqyrur dhe i mirëkapitalizuar”, deklaroi ajo.

Ministrja akuzoi organizatorët e akteve të dhunës se synojnë, sipas saj, të përhapin panik dhe të destabilizojnë ekonominë shqiptare. Ajo u shpreh se këto përpjekje nuk do të kenë sukses dhe solli në vëmendje skemën e firmave piramidale të vitit 1997.

“Atyre që organizojnë dhunën e përditshme dua t’u them se do të dështojnë në tentativën e tyre për të destabilizuar ekonominë shqiptare. Ata nuk mund të përsërisin skenarin e vitit ’97, me ‘Suden’ dhe skemat e firmave piramidale”, tha Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se garantimi i stabilitetit financiar dhe ruajtja e besimit të qytetarëve te sistemi bankar mbeten prioritete.

“Shqiptarët nuk e duan dhunën. Shqiptarët nuk e duan rrëmujën. Dhe Shqipëria është e shqiptarëve”, përfundoi ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër