Takimi i Hoxhës me përfaqësuesit e MATTO-s: Investimet e gjelbra janë bazë për zhvillim të qëndrueshëm

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi takim me përfaqësues të Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO), në të cilin u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në tranzicionin e gjelbër, nxitjen e investimeve në teknologjitë e gjelbra dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Në takim u theksua se tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një detyrim ekologjik, por edhe një mundësi zhvillimore për hapjen e investimeve të reja, rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive, forcimin e pavarësisë energjetike dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës.

“Kompanitë dhe biznesmenët turq janë pjesë e rëndësishme e komunitetit të biznesit. Dëshirojmë që njohuritë, përvoja dhe kapitali i tyre të jenë pjesë e proceseve të modernizimit dhe transformimit të gjelbër të ekonomisë sonë. Për këtë na nevojiten dialog i hapur, partneritet dhe kushte të parashikueshme për investime”, theksoi Hoxha.

Sipas ministrit, qëllimi është të ndërtohet një sistem në të cilin mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi ekonomik plotësojnë njëri-tjetrin, ndërsa në këtë drejtim ai shprehu gatishmëri për të diskutuar iniciativa konkrete investuese.

Në fokus të bisedimeve ishin investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin energjetik, menaxhimin e mbeturinave, riciklimin, ekonominë qarkore dhe zhvillimin e teknologjive të gjelbra. Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për përfshirjen e sektorit privat në realizimin e objektivave kombëtare dhe evropiane për veprim klimatik dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si dhe të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe forumeve të biznesit kushtuar ekonomisë së gjelbër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër