Shqipëria “pushton” fqinjët/ Eksportet rriten në 9-të muaj, suficiti me rajonin katërfishohet

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shqipëria po forcon dukshëm pozicionin tregtar në rajon sipas të dhënave, duke shitur më shumë mallra dhe duke ulur blerjet nga vendet fqinje. Përgjatë nëntëmujorit, suficiti tregtar me pesë partnerët e rajonit ishte rreth katër herë më i lartë se një vit më parë.

Referuar Instat, në nëntë muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria eksportoi drejt Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës rreth 52.5 miliardë lekë mallra, ndërsa importoi rreth 41.5 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet drejt këtyre pesë tregjeve u rritën me 11.1%, ndërsa importet ranë me 6.8%. Si rezultat, suficiti tregtar u zgjerua nga rreth 2.7 miliardë lekë në 11 miliardë lekë.

Kosova vijon të jetë tregu kryesor për mallrat shqiptare në rajon. Eksportet drejt saj arritën në rreth 28.7 miliardë lekë, me një rritje prej 14.3%, ndërsa importet u rritën me 8.6%, në rreth 12.5 miliardë lekë. Bilanci mbetet dukshëm në favor të Shqipërisë, me një suficit prej rreth 16.2 miliardë lekësh.

Pozitive është edhe ecuria me Malin e Zi, ku eksportet u rritën me 6.4%, ndërsa importet ranë me 29.3%. Me Bosnje Hercegovinën, eksportet u zgjeruan me 17.2%, ndërsa importet u rritën vetëm 2.2%.

Nga ana tjetër, sa i përket tregtisë me Serbinë, Shqipëria vijon të ketë deficit tregtar, por ai është ngushtuar nga rreth 11.1 miliardë lekë në 9.8 miliardë lekë, pasi eksportet u rritën me 4.6% dhe importet ranë me 5.9%.

Përmirësimi më i fortë shihet me Maqedoninë e Veriut. Deficiti tregtar u ul nga rreth 4 miliardë lekë në vetëm 1.1 miliardë lekë, pasi eksportet u rritën me 7.4%, ndërsa importet ranë me 21.9%./Scan Tv

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër