Prishtinë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe respektimit të vendimeve të saj, duke nënvizuar se kushtetuta duhet të jetë mbi pushtetin dhe se asnjë institucion nuk është mbi ligjin, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Shiroka-Pula ka thënë se pavarësia e këtij institucioni është garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
“Kushtetuta i përcakton këto kufij, ajo garanton se askush nuk është mbi ligjin, se pushteti nuk është i pakufizuar dhe se të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritetin publik. Prandaj, pavarësia e gjykatës kushtetuese, nuk është vetëm një parim juridik, ajo është një garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve se kushtetuta do të mbrohet në praktikë në çdo rrethanë dhe pa përjashtim. …Gjykata kushtetuese, ka një përgjegjësi të veçantë në artikulaturën demokratike të shtetit. Ato sigurojnë që kushtetuta të mos mbetet vetëm në dokumente thelbësore, por të jetë autoriteti më i lartë juridik. Të cilit i nënshtrohen të gjitha institucionet”, deklaroi Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se roli i Gjykatës Kushtetuese bëhet edhe më i rëndësishëm në kohë krizash politike, kur institucionet përballen me presion dhe kur vihet në sprovë respektimi i parimeve kushtetuese.
“Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohën e krizave politike, kur presioni mbi institucionet rritet dhe kur respektimi i parimeve kushtetuese bie në sprovë. Pikërisht në këto momente dëshmohet rëndësia e gjykatave të pavarura, ato garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të kushtetutës. Për Kosovën, si shtet i ri, gjykata kushtetuese ka një rëndësi të veçantë. Vendimet e gjykatës kushtetuese, respektohen dhe nuk personalizohen pavarësisht efekteve të tyre politike. Përvoja e gjykatës kushtetuese, federale të Gjermanisë, e gjykatave të tjera evropiane, dhe ekspertiza e Komisionit të Venecias, përbëjnë një mundësi të çmuar për të diskutuar sfidat e përbashkëta për të thelluar dialogun juridik, dhe të përforcuar standardet e mbrojtjes së rendit kushtetues. Përvoja tona mund të ndryshojë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta. Forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmëri për të respektuar ato. Kur kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta, kur institucionet i nënshtrohen kushtetutës, demokracia është më e fortë”, nënvizoi Shiroka-Pula.
