Ndërpritet seanca në kuvend, PD bllokon foltoren: Duhet zgjidhje politike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Seanca e sotme plenare nisi me tensione, pasi opozita bllokoi foltoren e Kuvendit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i shoqëruar nga disa kolegë të tjerë opozitarë, u ngjitën në foltore duke kërkuar zgjidhje politike për krizën që sipas tyre ka përfshirë vendin.

Bllokimi ndodhi ndërsa Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po prezantonte rendin e ditës dhe po lexonte procesverbalin e seancës së kaluar. Në atë moment, deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së, midis të cilëve Flamur Noka, Enno Bozdo, Belind Këlliçi, Ina Zhupa, Gjin Gjoni, Ivi Kaso e Bujar Leskaj, zunë hapësirën rreth foltores.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, fjalën e mori deputeti Belind Këlliçi, i cili dënoi dhunën ndaj studentëve dhe kërkoi vetëshpërndarjen e Parlamentit aktual, duke theksuar se opozita do të qëndrojë në krah të qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Sipas tij, Partia Demokratike do të qëndrojë pa asnjë ekuivok në krah të studentëve, të rinjve dhe çdo qytetari që kërkon të drejtat e veta.

“Dënojmë dhunën ndaj studentëve dhe çdo qytetari që del në protestë. Në këto momente, detyra jonë politike dhe qytetare është të jemi pranë protestuesve dhe të mbështesim kërkesat e tyre, kërkesat e një brezi që përçmohet nga pushteti. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë një krize të tillë shoqërore. Mesazhi është i qartë: studentët në rrugë, deputetët e PD-së në krah të tyre”, u shpreh Këlliçi.

Më tej, ai shtoi se grupi parlamentar i PD-së dhe grupet e tjera opozitare mbështesin kërkesën e studentëve për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe shpërbërjen e këtij Kuvendi.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bashkë me aleatët, mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe, në këtë moment vendimtar, qëndron përkrah kërkesave për: Dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Menjëherë më pas, vetëshpërndarjen e Parlamentit aktual, i cili nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim”, tha ai.

Seanca vijoi sërish me përplasje pasi fjalën e mori kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla.

“Asnjë deklaratë nuk e justifikon dhunën”, tha Balla, ndërsa deputetët e opozitës ndërhynë duke mos e lejuar që të fliste.

Kjo solli edhe përplasje të ashpra mes deputetëve dhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, kërkoi për pesë minuta pushim në seancë plenare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër