Kuvend, miratohen projektligjet pas kaosit dhe përplasjeve nga deputetët e opozitës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi miratoi sot mes përplasjeve projektligjet në rendin e ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare.

Në këto kushte, pas një ndërprerje disa minutëshe, Kuvendi rinisi me fjalën e Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili kërkoi që Kuvendi të kalonte në votim të ligjeve në rendin e ditës, çka rriti edhe tensionet, pasi deputetët e opozitës i shkulën mikfrofonin. Kreu i Kuvendit hodhi në votim kërkesën e propozuar nga Balla, e cila u miratua me shumicë të votave.

Votimi i pikave në rendit të ditës u krye me kartona, për shkak të një defekti teknik tek sistemi i votimit elektronik, teksa deputetët e opozitës krijuan tensione të forta, kaos dhe përplasje fizike.

Situata u përshkallëzua edhe më tej teksa kryeparlamentari Niko Peleshi ka hedhur në votim rendin e ditës, moment kur deputetët e Partisë Demokratike kanë tentuar të marrin kartonët e votimit nga deputetët socialistë.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.

Kuvendi miratoi me 76 vota projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.

Kuvendi miratoi me 76 projektvendim “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër