Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Sindikata e Punonjësve të Universiteteve vijoi edhe sot marshimin paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 10 ditësh në Tiranë kundër klasës politike dhe për kushte më të mira arsimimi dhe jetese.
Si çdo ditë pedagogë e studentë u mblodhën para Universitetit Politeknik të Tiranës nga ku pedagogia Mimoza Manxhari deklaroi për mediet se 1700 pedagogë kanë firmosur në mbështetje të kërkesave të studentëve, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit.
“Ne, si përfaqësues të 1700 pedagogëve që kanë firmosur, jemi në mbështetje të kërkesave tuaja, dorëheqjen e Ramës, që ju ka faturuar kosto të mëdha arsimore. Jemi këtu të mbështesim kërkesat tuaja dhe qytetarëve që duan zgjidhje për krizën që po kalon vendi. E përsërisim, dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie kujdestare. Janë qytetarët që duhet të vendosin lirisht kush do ta qeverisë vendin. Qeveria përpiqet të delegjitimojë protestën duke e paraqitur si protestë huliganësh, kur në të vërtetë është protestë qytetarësh që kërkojnë të kthejnë besimin te vota. Kur zgjedhjet deformohen, e drejta e votës mund të mbetet thjesht formale”, tha ajo.
Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi tha për mediet se pedagogët do të vijojnë të mbështesin studentët në protestën e tyre.
“Do të jemi në ndihmë të studentëve, të protestës së tyre. Kemi thënë se jemi kundër dhunës së policisë ndaj studentëve dhe dhuna nuk ofron zgjidhje”, theksoi Kovaçi.
Kovaçi bëri thirrje që të gjithë ata që kanë mundësi t’u bashkohen studentëve në protestën e zhvilluar pranë Parlamentit, në shenjë mbështetjeje për kërkesat e tyre.
“Meqë jemi në kushtet kur ka një protestë te Parlamenti, të gjithë të marrin pjesë atje në ndihmë të studentëve, ndërkohë nesër do të jemi prapë këtu në 10:00”, tha kreu i Sindikatës së Pedagogëve.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare.
Edhe sot kreu i qeverisë u bëri thirrje sërish sot protestuesve për t’u ulur në dialog.
