BE-ja dhe Maqedonia e Veriut, ndërlidhja, siguria dhe stabiliteti

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Bota po përballet me një realitet të ri gjeopolitik, të karakterizuar nga luftërat, pasiguria ekonomike dhe krizat energjetike. Në këto rrethana, bashkëpunimi, ndërlidhja rajonale dhe investimet në infrastrukturë janë thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Kështu u theksua në panelin “Ndërlidhja strategjike për stabilitet – BE-ja dhe Maqedonia e Veriut në realitetin e ri gjeopolitik”, të organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”.

“E vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur sfidave të realitetit të ri gjeopolitik është përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë nëpërmjet ndërlidhjes. Si Bashkim Evropian, kemi qenë të qëndrueshëm në mbështetjen e ndërlidhjes infrastrukturore. Kemi ndarë 1.2 miliardë euro nga Instrumenti i para-anëtarësimit,  si dhe 1.8 miliardë euro përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, kemi shtuar edhe 750 milionë euro përmes Planit të Rritjes për Bashkimin Evropian, i cili zbatohet përmes Agjendës së Reformave në Maqedoninë e Veriut.”, – deklaroi ambasadori dhe shefi i Delegacionit të BE-së në RMV, Michalis Rokas.
Në të njëjtën linjë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, theksoi rëndësinë strategjike të korridoreve pan-evropiane 8 dhe 10 për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e vendit.
“Rajonalisht, Maqedonia kufizohet me Bashkimin Evropian si në jug, ashtu edhe në lindje. Përreth nesh ndodhen vende kandidate për anëtarësim në BE, kështu që jemi të rrethuar nga Bashkimi Evropian dhe është e natyrshme të dëshirojmë të bashkëpunojmë. 76% e eksporteve të Maqedonisë shkojnë drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa 46% e importeve vijnë nga vendet anëtare të BE-së. Është e natyrshme që duam ta shfrytëzojmë ndërlidhjen.”, – theksoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler, vuri në pah se ndërlidhja rajonale nuk ka më vetëm dimension ekonomik, por edhe rëndësi të drejtpërdrejtë gjeopolitike, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e demokracisë dhe infrastrukturës kritike.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor për rritjen e qëndrueshmërisë është përgjigjja jonë e drejtpërdrejtë dhe kolektive për ruajtjen e stabilitetit të të gjithë Evropës. Vizioni ynë politik bazohet fuqishëm në vlerat evropiane, në forcimin e shoqërive pluraliste dhe në mbrojtjen e demokracisë.”, – u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në RMV, Petra Drexler.
Paneli vuri në pah se bashkëpunimi evropian, investimet infrastrukturore dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten elemente të rëndësishme për qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit përballë sfidave të reja gjeopolitike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër