Budapest, 22 tetor Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, është fotografuar në një restorant në qendër të Budapestit. Fotografinë e publikoi në Facebook ish-deputeti hungarez Akosh Haxhazi, i cili tha se ajo ishte realizuar nga një shtetas hungarez.
Haxhazi e cilësoi Gruevskin si aleat të afërt të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe ish-ministrit të Jashtëm, Peter Szijjarto. Në postimin e tij, ai rikujtoi se Gruevski u largua nga Maqedonia në vitin 2018 dhe iku në Hungari, ku mori azil politik.
“Hamendësoj dhe shpresoj se qeveria e re thjesht e ka harruar”, shkroi Haxhazi, duke iu referuar faktit se autoritetet e reja hungareze ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e statusit të Gruevskit.
Ai vlerësoi se Hungaria mund të kontribuojë ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit në Maqedoni nëse ia heq azilin politik ish-kryeministrit. Në postimin e tij, ai theksoi gjithashtu se në Maqedoni ende janë në pushtet persona të afërt me Gruevskin, ndaj u bëri thirrje autoriteteve hungareze të mos lejojnë që persona të lidhur me pushtetin e mëparshëm të Orbanit të largohen nga vendi nën mbrojtjen e institucioneve hungareze.
Çështja e fatit të Gruevskit u rikthye në vëmendje pas fitores zgjedhore të Peter Magyarit dhe partisë së tij Tisza ndaj partisë Fidesz të Viktor Orbanit. Magyar paralajmëroi ndryshimin e politikës së Hungarisë ndaj politikanëve të huaj që kanë marrë strehim në këtë vend dhe deklaroi se Hungaria nuk do të jetë strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht. Ai e cilësoi Gruevskin si kriminel të kërkuar.
Magyar mori detyrën e kryeministrit më 9 maj të këtij viti. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi atëherë se, nëse Gruevski ekstradohet në Maqedoni, do të dërgohet për të vuajtur dënimin me burg.
Në fund të majit, Ministria e Drejtësisë njoftoi se procedura e ekstradimit vazhdon dhe se Gruevski mbetet shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndaj të cilit ekzistojnë vendime gjyqësore të formës së prerë.
Ky njoftim erdhi pas publikimeve të portalit hulumtues hungarez VSquare, i cili, duke iu referuar burimeve brenda qeverisë hungareze, raportoi se Gruevski kishte marrë edhe shtetësinë hungareze që në vitin 2022. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë, nga opozitarja LSDM ditëve të fundit pyetën se ku është kërkesa e re për ekstradim, e paralajmëruar më herët. Nga kjo parti pretendojnë se, pavarësisht njoftimeve të Ministrisë së Drejtësisë në maj dhe ndryshimit të pushtetit në Hungari, kërkesa ende nuk është dërguar.
Gruevski, i cili drejtoi VMRO-DPMNE-në dhe ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016, u arratis nga Maqedonia në nëntor të vitit 2018, pasi iu konfirmua dënimi me dy vjet burg në rastin e blerjes së Mercedesit luksoz të blinduar.
Menjëherë pas mbërritjes së tij në Hungari, autoritetet i miratuan azilin politik. Në qershor të vitit 2019, një gjykatë hungareze e refuzoi kërkesën për ekstradim, me arsyetimin se Gruevski gëzonte statusin e azilkërkuesit.
Në mungesë të Gruevskit, gjykatat maqedonase i kanë shqiptuar dënime me burg në disa procese të veçanta. Mes tyre janë edhe vendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim të paligjshëm të mjeteve, ndërsa në vitin 2022 atij iu shqiptuan dënime prej shtatë dhe nëntë vjetësh burg.
Qeveria e Orbanit refuzoi disa herë ta ekstradonte ish-kryeministrin maqedonas, i cili që nga arratisja në vitin 2018 jeton në Budapest.
