14
Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk – Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot do të diskutojnë për interpelancën ndaj ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, të parashtruar nga deputetët e partisë E Majta. Në rendin e ditës të seancës së 128-të janë gjithsej 13 pika, përfshirë ndryshime ligjore në fushën e prokurimeve publike, mjedisit jetësor dhe shërbimeve mediatike.
Nga partia E Majta theksojnë se interpelanca ka të bëjë me huamarrjet e sistemit energjetik shtetëror dhe, sipas vlerësimit të tyre, mungesën e rezultateve të pritshme gjatë periudhës së kaluar, veçanërisht në sektorin e energjetikës.
Në seancë do të shqyrtohen edhe propozimet për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve në Këshillin Gjyqësor, Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Këshillin Drejtues të Agjencisë së Aviacionit Civil.
Para deputetëve do të jenë edhe ndryshimet e Ligjit për Prokurimet Publike dhe Ligjit për Mjedisin Jetësor, në lexim të dytë, si dhe propozim-ndryshimet e Ligjit për Privatizimin dhe Dhënien me Qira të Tokës Ndërtimore në Pronësi Shtetërore, në lexim të parë.
Në rendin e ditës është edhe raporti vjetor për punën e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve dhe Drejtësisë për Fëmijët për vitin 2025, me theks të veçantë në gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe delikuencën e të miturve.
Deputetët do të diskutojnë gjithashtu për ndryshimet e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele, në lexim të parë.
Pika e fundit e rendit të ditës është propozim-vendimi për ndryshimin e vendimit me të cilin është miratuar vazhdimi i afatit të gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të vendit.
