Shiroka-Pula reagon për vrasjen e Arlinda Zekajt: Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.

Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se organet kompetente duhet të hetojnë jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar kërkesat e viktimës dhe nëse kanë përmbushur detyrimin ligjor për ta mbrojtur atë.

Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë së viktimës.

“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka theksuar presidentja.

Shiroka-Pula u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ajo ka nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet shtetërore, duke kërkuar përgjigje të qarta për çdo dyshim lidhur me dështimin e mundshëm institucional.

Në fund të reagimit, presidentja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të afërmve të saj.

“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, ka përfunduar Shiroka-Pula.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër