Një grup të rinjsh dhe qytetarësh janë mbledhur sërish pasditen e sotme para godinës së kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në vijim të protestave të ditëve të fundit.
Tubimi i sotëm vijoi pas protestës së zhvilluar gjatë ditës ku një grup studentësh u mblodhën rreth orëve të mesditës fillimisht para Universitetit Politeknik e më pas vijuan marshimin në fakultete e tjera në Tiranë duke hyrë nëpër auditorë dhe ndërprerë procesin mësimor.
Tashmë studentët i janë rikthyer auditorëve pasi janë dakordësuar në grupet e tyre të rrjeteve sociale.
Protestuesit e mbetur para Kryeministrisë kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë, ndërsa krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama kërkojnë po ashtu ndryshimin e kastës politike në vend.
Gjatë pasdites, të rinjtë patën edhe komunikime mes tyre duke diskutuar për oraret e vijimit të protestave.
Gjatë mbrëmjes protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
