Ademi: Afrim Gashi duhet të përmbahet nga komentet politike

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka kritikuar deklaratat e drejtuesve të VLEN-it gjatë fushatës zgjedhore në Bërvenicë, duke veçuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

Sipas Ademit, Gashi, për shkak të funksionit që ushtron, duhet të ruajë paanshmërinë institucionale dhe të përmbahet nga komentet e tilla politike.

Duke folur në emisionin “Verdict” në TVM2, Ademi është pyetur nëse BDI-ja duhet ta falënderojë VLEN-in për ndihmën në fitoren e zgjedhjeve në Bërvenicë.

Në përgjigjen e tij, ai tha se drejtuesit e VLEN-it nuk duhet të kishin bërë deklarata të tilla gjatë fushatës, ndërsa vëmendjen e përqendroi te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Udhëheqësit e VLEN-it asesi, sepse ka arsye. Po e fillojmë, thashë, me Afrim Gashin. Në qoftë se është kryetar i Kuvendit, ai duhet të përmbahet nga komentet e këtilla”, deklaroi Ademi.

Ai theksoi se kryetari i Kuvendit duhet të sillet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë aktorëve politikë, duke rikujtuar se Gashi mban një nga pozitat më të larta institucionale në vend.

“Është përfaqësuesi më i lartë në shtet që mban pozicionin më të lartë të shqiptarëve në shtet. I propozuar nga VLEN-i, kështu të paktën ata thonë”, shtoi Ademi në emisionin “Verdict” në TVM2.

artikuj të ndërlidhura