Mickoski: Po e zgjerojmë partneritetin me Gjermaninë në ekonomi, arsim dhe shëndetësi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin e landit federal të Renanisë Veri-Westfalisë, Hendrik Wüst. Në fokus të takimit kanë qenë bashkëpunimi i deritanishëm dhe mundësitë për thellimin e tij, veçanërisht në ekonomi dhe investime.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, si dhe ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Sipas Mickoskit, kompanitë gjermane “Kostal”, “Kromberg & Schubert”, “WIK” dhe “Gerresheimer”, të cilat tashmë operojnë në Maqedoni, janë shembull i potencialit për tërheqjen e investimeve shtesë.

Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për zbatimin e Deklaratës së Përbashkët të Qëllimeve për Bashkëpunim. Dokumenti përfshin ekonominë, investimet, arsimin, kulturën dhe shëndetësinë, si dhe mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë.

Mickoski theksoi edhe gatishmërinë e Wüst për të vizituar Maqedoninë, duke vlerësuar se kjo do të ishte një mundësi shtesë për avancimin e partneritetit.

“Vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të forta, të tërheqim investime të reja dhe të hapim dyert për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për shtetin tonë”, porositi kryeministri.

artikuj të ndërlidhura