Shkup, 4 nëntor – Raporti i fundit i Zyrës Shtetërore të Auditimit për Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut Transport është një alarm i një sistemi në prag të shkatërrimi total ekonomik dhe strukturor. Të dhënat e shpërfaqura flasin për një realitet ku borxhet e akumuluara kalojnë shifrën astronomike prej 11o milionë euro. Ky kaos financiar reflektohet drejtpërdrejt në terren, ku ka linja pa vagonë, mjete lëvizëse të vjetruara mbi gjysmë shekulli dhe një shërbim publik që pothuajse ka pushuar së funksionuari për qytetarët dhe bizneset. Sektori hekurudhor nuk është më një aset strategjik, por një gropë e zezë financiare që kërcënon stabilitetin ekonomik të vendit, shkruan “Zhurnal.mk”.
11o milionë euro borxhe, askush s’merr përgjegjësi!
Nga përmbajtja e raportit të auditimit, i cili analizon pasqyrat financiare dhe operacionet për vitin 2024, identifikohen qartë tre shtylla kryesore të krizës edhe atë borxhi i pakontrolluar, ku janë grumbulluar diku 110 milionë euro borxhe, dhe kjo dëshmon për një model biznesi krejtësisht të dështuar dhe të paqëndrueshëm. Nëspër librat e kontabilitetit mbahet ende një pasuri jomateriale e kontestuar prej 119 milionë eurosh, dhe kjo tregon përpjekjet për të fshehur përmasat reale të problemeve.
Auditimi gjithashtu ka shprehur opinion negativ jo vetëm për vërtetësinë e pasqyrave, por edhe për përputhshmërinë me ligjet, duke sinjalizuar padi që përfshijnë qindra miliona denarë dhe dobësi serioze në kontrollin e shpenzimeve.
1004 vagonë nuk funksionojnë
Nga 1382 vagonë mallrash, plot 1004 prej tyre, ose 73 përqind, janë jashtë qarkullimit për shkak të skadimit të afatit të inspektimit teknik të detyrueshëm. Ky bllokim saboton drejtpërdrejt ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe industrinë e rëndë.
Nga 16 komplete pasagjerësh, vetëm 5 janë funksionale, ndërsa nga 47 vagonë pasagjerësh, vetëm dy përdoren në trafik të rregullt. Realisht, ky shërbim tashmë ekziston vetëm në letër, duke mos pasur asgjë reale.
Nga 62 lokomotiva në total, vetëm 9 lokomotiva janë në funksion, ose që i bie 15 % e lokomotivave totale.
Ajo që është për t’u habitur, është fakti se makineria lëvizëse është kryesisht më e vjetër se 40 vjet. Lokomotivat me naftë kanë një moshë mesatare prej mbi 60 vjetësh, kurse ato elektrike mbi 35 vjet.
Operimi me mjete kaq të vjetra rrit në mënyrë eksponenciale kostot e energjisë dhe mirëmbajtjes, duke krijuar “qarkullime bosh” dhe duke e çuar kapacitetin shfrytëzues në kufijtë teknikë dhe teknologjikë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku dhe si duhet të Intervenojë shteti!
Përballë këtij opinioni të pafavorshëm të auditorit shtetëror, pasiviteti i shtetit do të ishte i barabartë me bashkëfajësinë në falimentimin e një infrastrukture kritike kombëtare. Shteti, si pronar dhe rregullator, duhet të ndërmarrë një ndërhyrje agresive.
Shteti nuk mund të vazhdojë të injektojë para publike në një “thes pa fund” pa pastruar fillimisht llogaritë. Ministria e Financave dhe organet e drejtësisë duhet të nisin një hetim të thellë për paditë miliona-dollarëshe dhe dobësitë e kontrollit të shpenzimeve të përmendura në raport. Kushdo që ka lejuar fryrjen e pasurive jomateriale me 119 milionë euro pa bazë duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
Qeveria duhet të hartojë një plan për konsolidimin e borxhit prej 110 milionë euro, ndoshta përmes një marrëveshjeje për shndërrimin e detyrimeve ose kushtëzimin e çdo subvencioni të ardhshëm me masa drastike të kursimit dhe rritjes së efikasitetit.
Bllokimi i 73% të vagonëve të mallrave për shkak të inspektimeve teknike të skaduara është një dështim i pastër administrativ dhe financiar që dëmton eksportuesit dhe importuesit vendas.
Prandaj, shteti duhet të ndajë një vijë të veçantë buxhetore urgjente ekskluzivisht për të kryer inspektimet teknike të detyrueshme për vagonët e mallrave që janë në gjendje relativisht të mirë. Kthimi i tyre në qarkullim do të gjeneronte të ardhura të menjëhershme të vetë kompanisë përmes transportit të mallrave.
Me vetëm 9 lokomotiva funksionale, transporti është i paralizuar. Duhet kontraktuar urgjentisht riparimi i mesëm apo i madh i lokomotivave që kanë potencial operativ, shkruan “Zhurnal.mk”.
S’ka transport modern me lokomotiva të vitit 1960!
Nuk mund të pretendohet transport modern në shekullin XXI me lokomotiva të vitit 1960. Arsyet e investimeve të pamjaftueshme në mirëmbajtje dhe mungesa e rinovimit të makinerisë lëvizëse të cituara në raport, kërkojnë një strategji të re kombëtare.
Qeveria duhet të aplikojë në fondet evropiane, qoftë ajo në planet e investimeve të Ballkanit Perëndimor apo BERZH për të zëvendësuar tërësisht flotën e vjetërsuar. Lokomotivat 60-vjeçare me naftë duhet të dalin në pension dhe të zëvendësohen me mjete të reja, ekologjike dhe efikase për nga konsumi i energjisë.
Nëse nuk ka menaxhment të aftë, duhet të merret parasysh hapja e tregut për operatorët privatë të transportit të mallrave, por duke mbajtur infrastrukturën nën pronësi shtetërore, ose duhet të gjejmë një partner strategjik që do të investonte në makineri të reja.
Nëse analizohet ky raport, kjo është një alarm i fuqishëm se Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut Transport, ndodhen në pikën e dështimit. Raporti është një klithmë e fundit për zgjim dhe se ky sektor nuk mund të trajtohet më si një strehë për punësime partiake.
Ndërhyrja e shtetit nuk është më një opsion politik i zgjedhjes së lirë, ky është është një detyrim ligjor, ekonomik dhe kombëtar për të shpëtuar pasurinë publike nga degradimi i plotë dhe i pakthyeshëm. Koha për arsyetime dhe “investime të pamjaftueshme” ka mbaruar, tani është koha e vendimeve të mëdha për ndryshime, shkruan “Zhurnal.mk”.
