Mexhiti në promovimin e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare”: Arkitektura është pjesë e identitetit tonë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 04 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka folur për rëndësinë e arkitekturës në ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin urban të qyteteve, pas pjesëmarrjes në promovimin e librit “Fragmente të Arkitekturës Bashkëkohore Shqiptare” në Shkup.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti tha se një pjesë e identitetit të shoqërisë pasqyrohet në arkitekturën e qyteteve, ndërsa arkitektët shqiptarë, sipas tij, kontribuojnë në pasurimin e kësaj trashëgimie dhe në formësimin e hapësirave urbane.

“Një pjesë të identitetit tonë e lexojmë në arkitekturën e qyteteve tona, në ndërtesat që kemi trashëguar dhe në ato që ndërtojmë sot. Me punën e tyre, arkitektët shqiptarë e pasurojnë këtë trashëgimi dhe u japin formë hapësirave ku jetojmë”, shkroi Mexhiti.

Ai bëri të ditur se gjatë promovimit të librit u prezantua puna e 49 studiove arkitekturore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në kuadër të takimit u prezantuan edhe punimet e studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin “Nënë Tereza”, të cilat u paraqitën nga Kuvendi Studentor.

Mexhiti e ndërlidhi diskutimin për arkitekturën bashkëkohore edhe me projektet infrastrukturore që janë duke u realizuar në Komunën e Çairit.

“Ky diskutim vjen në një kohë kur në Çair po punohet në projekte të rëndësishme infrastrukturore, nga rruga ‘Ferid Murati’ dhe bulevardet ‘Mit’hat Frashëri’ e ‘Cvetan Dimov’ deri te rivitalizimi i Çarshisë së Vjetër”, theksoi ai.

Sipas Mexhitit, zhvillimi i infrastrukturës në Çarshinë e Vjetër duhet të shoqërohet me ruajtjen e zejeve tradicionale dhe karakterit të kësaj zone.

Ai përmendi gjithashtu ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, të cilin e cilësoi si një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës arsimore, duke vlerësuar se ky projekt do t’i japë një dimension të ri arkitektonik kësaj pjese të Shkupit.

“Më vjen mirë që Komuna e Çairit e mbështeti këtë takim. I përgëzoj autorët Armand Vokshi, Blerta Vula Rizvanolli dhe Besian Mehmeti për punën e tyre”, shkroi Mexhiti.

Në fund, ai theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit të Komunës së Çairit me arkitektët dhe urbanistët, duke vlerësuar se ekspertiza e tyre duhet të përfshihet që në fazat e para të planifikimit urban.

“Si kryetar i Komunës së Çairit, dua ta forcojmë bashkëpunimin me arkitektët dhe urbanistët. Përvoja e tyre duhet të na ndihmojë që në fillim, kur përcaktojmë çfarë i duhet qytetit dhe si do të përdoren hapësirat e tij”, përfundoi Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura