Shkup, 04 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian, në Raportin për vitin 2026, vlerëson progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, duke evidentuar zbatimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi 2024-2028 dhe miratimin e një sërë ligjesh të rëndësishme në këtë fushë.
Në raport veçohen ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, ligjet që rregullojnë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Ligji i ri për Procedurën Kontestimore.
Vëmendje e veçantë i kushtohet Ligjit për Këshillin Gjyqësor, për të cilin Komisioni Evropian vlerëson se adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, zhvillimet e fundit paraqesin hapa përpara në përmirësimin e kornizës ligjore dhe forcimin e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i ka cilësuar këto vlerësime si një inkurajim për vazhdimin e procesit reformues. Megjithatë, ai ka theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i ligjeve dhe përkthimi i reformave në ndryshime konkrete në funksionimin e institucioneve.
“Qytetarët duhet të kenë besim te drejtësia jo sepse ne u themi se sistemi po reformohet, por sepse e shohin dhe e ndiejnë vetë ndryshimin”, thekson Shasivari.
Ai ka bërë të ditur se procesi i reformave do të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi, me synimin për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë më efikas, funksional dhe në përputhje me standardet evropiane.
Vlerësimi i Komisionit Evropian vjen në kuadër të procesit të përgjithshëm të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ku reforma në drejtësi mbetet një nga fushat kryesore për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
