Shkup, 05 nëntor, Zhurnal.mk – Lidhja Shqiptare, e drejtuar nga Ziadin Sela, ka reaguar ndaj Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si konfirmim të kritikave dhe vlerësimeve të saj gjatë vitit.
Në reagimin e partisë thuhet se çështjet për të cilat Lidhja Shqiptare ka ngritur vazhdimisht shqetësime janë evidentuar edhe në raportin e Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht titullohet Raport Progresi, por sipas kësaj partie, për Maqedoninë e Veriut përbën një “Raport Regresi”.
“Raporti i Komisionit Europian për ‘Regresin e Maqedonisë së Veriut’ është konfirmim i vlerësimeve tona gjatë gjithë vitit”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Sipas partisë së Selës, ndër çështjet e evidentuara janë ndryshimet kushtetuese, partizimi dhe etnizimi i gjyqësorit, presionet dhe kërcënimet ndaj mediave dhe gazetarëve, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, si dhe diskriminimi gjuhësor dhe në fusha të tjera.
“Dështimet e Qeverisë aktuale dhe institucioneve kompetente”, vlerëson Lidhja Shqiptare, janë reflektuar në këto fusha.
Partia thekson se ky është viti i dytë radhazi dhe raporti i dytë që, sipas saj, jo vetëm konfirmon vlerësimet dhe paralajmërimet e saj, por tashmë flet edhe për hapa prapa në procesin e reformave.
“Kjo ndodh përkundër premtimeve të partive në pushtet për përparim e ndryshim”, thuhet në reagim.
Lidhja Shqiptare u është drejtuar edhe partive shqiptare pjesë e Qeverisë, duke kërkuar përgjigje për premtimet e dhëna lidhur me zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.
“Sot na mbetet vetëm të pyesim partitë shqiptare në Qeveri, ku ngelën zotimet e tyre herë për 6 muaj, herë për 1 vit e tanimë dy vite për debllokimin e procesit euro-integrues?”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga Lidhja Shqiptare shtrojnë edhe pyetjen nëse nuk është e mjaftueshme, siç shprehen ata, përgjigjja e drejtpërdrejtë e Brukselit zyrtar lidhur me performancën e Qeverisë dhe procesin eurointegrues të vendit.
“Përkundër premtimeve të partive në pushtet, kjo Qeveri ka dështuar dhe e çon vendin pas”, është qëndrimi i shprehur nga Lidhja Shqiptare.
