Tiranë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje studentëve që të ulen në tryezën e dialogut, përmes një sofre guri të vendosur përballë Kryeministrisë dhe ftesave me mbishkrimin “Dialog”.
Ndërkohë, protesta e të rinjve vijon mes qëndrimeve të ndryshme të studentëve. Një pjesë e tyre janë rikthyer në auditorë, ndërsa një grup tjetër vijon të bëjë thirrje për ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar protestës.
Protestuesit kanë refuzuar deri më tani ftesat e Kryeministrit për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Nga ana tjetër, Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të studentëve dhe pedagogëve, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e shqetësimeve të tyre.
Sot Kryeministri pritet që të prezantojë një tjetër dritare dialogu online, për të gjithë qytetarët që kanë shqetësime reale. Rama në konferencën për mediet me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa deklaroi se tre grupe studentësh kanë dashur ta takojnë, por se janë kërcënuar e janë tërhequr.
