Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Levica vlerëson se ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, me vlerësimin se vendi nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, i ka demantuar drejtpërdrejt pretendimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për reforma të suksesshme.
Në reagimin e saj, Levica kujton se Mickoski së fundmi e kishte quajtur korrupsionin “frazë politike”, ndërsa tani, sipas partisë, ka marrë një përgjigje të qartë se pushteti nuk ka dhënë rezultate në luftën kundër korrupsionit.
“Në një konferencë të përbashkët për media, Hristijan Mickoski u përpoq edhe një herë të shesë versionin e tij të realitetit, duke u mburrur se ‘kemi raport më të mirë se vitin e kaluar’ dhe se Maqedonia shënon ‘rezultatet më të mira për reforma dhe rritje’. Por vetëlavdërimi i tij mori një demant të pakëndshëm nga ambasadori evropian Mihalis Rokas, i cili që në fillim të fjalimit të tij porositi qartë: nuk është arritur asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit!”, thuhet në reagimin e Levicës.
Partia thekson se Rokas ka kërkuar hetime dhe ndjekje penale efektive, veçanërisht për korrupsionin e nivelit të lartë, masa konkrete antikorrupsion dhe mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit.
“Kjo nuk është formulim diplomatik për ndonjë sfidë të ardhshme, por konstatim i qartë se pushteti nuk ka dhënë rezultate në një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit demokratik. Mickoski mund të fliste sa të donte për rritje dhe reforma, por nuk mund ta anashkalonte vlerësimin e pakëndshëm që qëndronte mes tij dhe ambasadorit evropian – zero përparim në luftën kundër korrupsionit!”, shton partia.
Sipas Levicës, është tragjikomike që vetëm pak ditë më parë Mickoski pyeste “ku ka korrupsion”, ndërsa tani ka marrë një përgjigje publike që nuk mund ta kontrollojë apo relativizojë.
“Në vend që të pyesë ku është ai korrupsioni abstrakt, Mickoski le të shikojë përreth vetes, në radhët e veta dhe në institucionet që i drejton. Kur kryeministri pyet ku është korrupsioni, përgjigjja është më afër sesa dëshiron ta pranojë: aty ku është pushteti i tij!”, thuhet në fund të reagimit të Levicës.
