Dimitrovski: Integrimi evropian nuk duhet të mbahet peng i kontesteve dypalëshe

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Integrimi evropian nuk duhet të mbahet peng i kontesteve dypalëshe, ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Iniciativës së Evropës Qendrore duhet të tregojnë solidaritet dhe mbështetje politike për vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Union, porositi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski.

Në Takimin Ministror të sotëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (IEQ) në Bukuresht, Dimitrovski theksoi nevojën për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe mbështetje më të madhe politike për vendet kandidate.

Ai theksoi se integrimi evropian duhet të mbetet një përparësi strategjike e besueshme dhe se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, zbatimit të reformave evropiane dhe harmonizimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit.

Duke iu referuar përvojave të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, Dimitrovski theksoi se hyrja e tyre në BE u bë i mundur jo vetëm nga përpjekjet dhe reformat e tyre, por edhe nga mbështetja dhe solidariteti i shteteve anëtare.

“Sot, vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë, janë të përkushtuara për të arritur të njëjtën ambicie evropiane. Por, disa nga vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ende përballen me pengesa dypalëshe në procesin e pranimit, duke përfshirë pengesat që rrjedhin nga vetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë anëtarët e IEQ, theksoi Dimitrovski.

Ai porositi se fryma e solidaritetit, fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, që ka kontribuar në integrimin evropian të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duhet të jetë gjithashtu një parim udhëheqës në marrëdhëniet me vendet kandidate të sotme.

“Presim që partnerët tanë nga Iniciativa e Evropës Qendrore të na shtrijnë dorën, të tregojnë vullnet politik dhe të mbështesin përpjekjet tona për të kapërcyer pengesat dypalëshe. Integrimi evropian nuk duhet të mbahet peng i kontesteve dypalëshe. Kjo nuk është vetëm çështje solidariteti me vendet kandidate, por edhe një investim në stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e të gjithë kontinentit evropian”, tha Dimitrovski.

Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, lidhshmërisë, sigurisë energjetike, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dimitrovski riafirmoi edhe mbështetjen e Maqedonisë për Ukrainën, duke theksuar se paqja, integriteti territorial dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare duhet të mbeten parime themelore të sigurisë evropiane.

Ai theksoi edhe nevojën për një Iniciativë të Evropës Qendrore më të fortë, më të dukshme dhe më efektive, me prioritete të qarta dhe bashkëpunim të përforcuar me Bashkimin Evropian dhe partnerët rajonalë.

artikuj të ndërlidhura