Mucunski pret homologun zviceran: Fokus te investimet dhe bashkëpunimi ekonomik

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, Ignazio Cassis, ku në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi ekonomik, tregtia dhe investimet.

Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ofron Maqedonisë së Veriut, veçanërisht përmes programeve të orientuara drejt forcimit të institucioneve dhe zhvillimit demokratik të vendit.

“Biseduam për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve, me qëllim krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim”, theksoi Mucunski pas takimit.

Në takim u diskutua edhe për kryesimin zviceran të OSBE-së, sfidat aktuale të sigurisë në Evropë dhe rolin e organizatës në ndërtimin e besimit, dialogut dhe stabilitetit.

Dy ministrat shkëmbyen mendime edhe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, reformat e vazhdueshme dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve të forta për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

artikuj të ndërlidhura