Kuzeska: Pushteti po ushtron presion për shitjen e “Alta Bankës” për të fshehur krimin

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkoi që Prokuroria Themelore Publike dhe Prokuroria Evropiane të hapin menjëherë hetim ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, guvernatorit Trajko Slavevski dhe ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke i akuzuar ata si përgjegjësit kryesorë për hyrjen e “Alta Bankës” në vend.

Në një konferencë për media para Qeverisë, zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se LSDM kishte paralajmëruar që një vit më parë për rreziqet dhe origjinën e kapitalit të kësaj banke, e cila sipas saj tani ndodhet në falimentim dhe pa licencë.

“Këtu, pas meje, në Qeveri ndodhen përgjegjësit kryesorë që lejuan hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni me kapital të dyshimtë. LSDM paralajmëroi që një vit më parë se Alta Banka është një bankë pro-regjim, e krijuar nga klane kriminale dhe makinë për pastrim parash e Vuçiqit. Tani qytetarët po vuajnë dhe nuk mund t’i marrin paratë e tyre, ndërsa qeveritarët gënjejnë dhe ia hedhin fajin njëri-tjetrit për të shpëtuar veten dhe për të fshehur skandalin”, tha Kuzeska.

Ajo shtoi se ekzistojnë kundërthënie në deklaratat e funksionarëve lidhur me njohuritë e tyre për të gjithë procesin.

“Trajko Slavevski thotë se ka pasur konsultime, ndërsa Koçoska thotë se nuk ka pasur dhe se nuk ka qenë e informuar. Sapo hapin gojën, gënjejnë”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar dokumenteve qeveritare, Kuzeska theksoi se më 23 shtator 2025 janë marrë vendime konkrete që, sipas saj, kanë shkuar në favor të pronarit të bankës, Davor Macura.

“Ja procesverbali nga seanca e Qeverisë e 23 shtatorit 2025. Me propozim të Koçoskës, Qeveria e Mickoskit ka miratuar konkluzione për marrjen e aksioneve nga Alta Banka AD Beograd në 16 institucione publike. Mickoski dhe Slavevski e sollën Alta Bankën në Maqedoni me kapital të dyshimtë, e cila tani është në falimentim, pa licencë dhe nën hetim për kriminalitet. Ndërsa Qeveria e Mickoskit i ka mundësuar po atij Davor Macurës të sigurojë paketë më të madhe aksionesh në kurriz të shtetit. Aksione të ndërmarrjeve shtetërore janë ofruar në interes të Macurës dhe Alta Bankës!”, deklaroi Kuzeska.

Nga LSDM thonë se pasojat e këtyre vendimeve po i ndjejnë drejtpërdrejt qytetarët, të cilët po përballen me pasiguri për depozitat e tyre.

“Sot njerëzit nuk mund të kenë qasje te paratë e tyre. Ka radhë, tollovi, qytetarë të revoltuar dhe pasiguri. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Tani ata që morën vendimet e dëmshme dhe mundësuan hyrjen e Alta Bankës paralajmërojnë shitjen e saj te një pronar i ri. Qëllimi është të mbulohet gjithçka dhe të mos zbulohet krimi. Kush do të dëshironte të marrë një bankë me një reputacion të tillë dhe nën dyshime për origjinën e kapitalit? Pushteti po ushtron presion ndaj blerësve të mundshëm, fillimisht ndaj një banke të huaj dhe prej disa ditësh edhe ndaj një banke vendore”, tha Kuzeska.

Në fund, LSDM kërkoi reagim urgjent nga organet e drejtësisë.

“Kërkojmë që Prokuroria Publike të mos presë dhe të mos arsyetohet se ka kohë. Nuk ka kohë, tashmë ka 11 muaj vonesë. Menjëherë të hapet hetim ndaj Mickoskit, Slavevskit dhe Koçoskës. Të përfshihet edhe Prokuroria Evropiane për të verifikuar rrjedhën e të gjitha parave të lidhura me Alta Bankën. Të gjithë të përfshirët në skandalin e Alta Bankës duhet të mbajnë përgjegjësi”, përfundoi Kuzeska.

artikuj të ndërlidhura