Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Një delegacion i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mori pjesë në takimin ndërparlamentar të Komitetit për Kulturë dhe Arsim (CULT) pranë Parlamentit Evropian, kushtuar zbatimit të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave (EMFA), i cili u mbajt më 4 dhe 5 nëntor në Bruksel, Belgjikë.
Sipas njoftimit të shërbimit parlamentar, pjesë e delegacionit ishin deputetet Saranda Imeri Stafai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, Kaltrina Beqiri, zëvendëskryetare e komisionit, dhe Dragana Arsova, anëtare zëvendësuese e komisionit.
“Në takim morën pjesë deputetë dhe përfaqësues të parlamenteve kombëtare, anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të institucioneve evropiane, si dhe ekspertë të fushës së mediave. Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe qëndrimeve lidhur me zbatimin rajonal, kombëtar dhe evropian të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave, si dhe shqyrtimi i ndikimit të tij mbi mjedisin mediatik, pluralizmin mediatik, pavarësinë e mediave dhe shoqërinë demokratike”, thuhet në njoftim.
Punimet u zhvilluan në katër sesione tematike, të fokusuara në përmirësimin e mjedisit mediatik, barazinë gjinore në media, sfidat digjitale dhe garantimin e informacioneve të besueshme, si dhe perspektivat për zbatimin e Aktit dhe mbështetjen e ekosistemeve rajonale mediatike.
Gjatë sesionit të parë, Saranda Imeri Stafai u ndal te gjendja aktuale e mediave në Maqedoninë e Veriut, duke paraqitur sfidat me të cilat përballet vendi në këtë fushë.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave u shqyrtuan qasjet e ndryshme kombëtare dhe sfidat në zbatimin e standardeve evropiane për lirinë e mediave, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në këtë fushë.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja e delegacionit të Komisionit për Kulturë dhe Turizëm paraqiste një mundësi për njohje të drejtpërdrejtë me politikat dhe praktikat aktuale evropiane në fushën e lirive mediatike, shkëmbim përvojash me përfaqësues të parlamenteve kombëtare dhe institucioneve evropiane, si dhe kontribut në dialogun ndërparlamentar për mbrojtjen dhe avancimin e pluralizmit mediatik, pavarësisë së mediave dhe vlerave demokratike.
