MF: Komisioni Evropian konstaton progresin mbi zbatimin e reformave në menaxhimin e financave publike

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Komisioni Evropian, në Raportin për progresin e vendit, konstaton zhvillime pozitive në treguesit makroekonomikë, si dhe aktivitete për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, zbatimin e Ligjit të Buxheteve dhe përforcimin e sistemeve të kontrollit financiar.

Në pjesën që i referohet zhvillimeve makroekonomike, në raport theksohet se rritja ekonomike u përshpejtua në vitin 2025, e nxitur nga investimet e fuqishme dhe konsumi privat. Rezultatet ishin veçanërisht të mira në sektorin e ndërtimtarisë dhe në shërbimet e TIK-ut, gjë që pjesërisht i atribuohet intensifikimit të punimeve publike në infrastrukturën rrugore, ndërsa investimet private përfituan nga kreditë për korporatat të subvencionuara nga Qeveria.

Zhvillime pozitive vërehen edhe te treguesit e borxhit publik, i cili në fund të vitit 2025 shënoi ulje prej 2 p.p. krahasuar me vitin paraprak.

Lidhur me zhvillimet fiskale, Komisioni Evropian konstaton se deficiti buxhetor në vitin 2025 ishte 4% të PBB-së, në përputhje me planifikimin.

Sa i përket implemetimit të Ligjit të Buxheteve, siç theksohet në raport, janë miratuar disa akte nënligjore, me të cilat krijohen kushte për avancimin e mëtejshëm të procesit buxhetor dhe menaxhimit të mjeteve publike.

Është miratuar Strategjia fiskale me projeksione afatmesme. Përveç kësaj, është përgatitur Strategjia e menaxhimit të borxhit publik me projeksione afatmesme, me ç’rast përmirësohet transparenca, pëforcohet parashikueshmëria dhe mundësohet ballafaqimi më efikas me sfidat që rezultojnë nga mjedisi i jashtëm ekonomik.

Njëkohësisht, në raport gjithashtu konstatohet se Sektori i Menaxhimit të Investimeve Publike në Ministrinë e Financave ka zhvilluar zgjidhje të përkohshme të TI-së, përkatësisht bazën e të dhënave për evidentimin e projekteve dhe monitorimin e realizimit të tyre financiar.

Gjithashtu edhe përpjekjet për zhvillimin e qasjes më sistematike në vlerësimin dhe prioritizimin e projekteve vlerësohen pozitivisht, duke përfshirë monitorimin më të mirë të alokimit të mjeteve buxhetore dhe harmonizimin e tyre me prioritetet strategjike.

Komisioni Evropian konstaton gjithashtu progresin në vendosjen dhe avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik. Në këtë drejtim, janë miratuar dy akte nënligjore për zbatimin e Ligjit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, si dhe është prezantuar Metodologjia e re për identifikimin, raportimin dhe monitorimin e risqeve operative dhe strategjike. Sipas këtij raporti, deri në fund të vitit 2025, 76% e shfrytëzuesve buxhetorë në nivel qendror kishin krijuar sisteme për menaxhimin e risqeve, në përputhje me metodologjinë e re.

Gjithashtu, theksohet roli i Njësisë Qendrore të Harmonizimit në sigurimin e udhëzimeve metodologjike dhe koordinimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik. Reformat në këtë fushë janë përfshirë edhe në Programin për reformën e menaxhimit të financave publike 2025–2028.

Në kuadër të Agjendës reformuese, Komisioni Evropian deri në fund të qershorit 2026 ka paguar 142.1 milionë euro, duke përfshirë edhe mjetet e parafinancimit.

Ato lidhen me disa fusha të rëndësishëm, mes të cilave edhe transformimi digjital, avancimi i kontrollit financiar, menaxhimi më i mirë i ndërmarrjeve në pronësi shtetërore dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit.

Ministria e Financave vijon me aktivitet për modernizimin e sistemit të financave publike, përforcimin e kontrollit financiar dhe menaxhimin e mjeteve publike.

Qëllimi është që të sigurohet transparencë më e madhe, llogaridhënie dhe efikasitet në shfrytëzimin e burimeve publike, si dhe qëndrueshmëri në financat publike dhe përshpejtim të harmonizimit të standardeve evropiane.

artikuj të ndërlidhura