Vallandovë, 6 nëntor Zhurnal.mk – Fermerët e rajonit të Vallandovës do të kenë mundësi më të mira për ujitjen e tokave bujqësore, pas vënies solemne në përdorim të fazës së tretë të sistemit të ujitjes “Strajishtë”, në fshatin Piravë të Komunës së Vallandovës.
Me realizimin e kësaj faze pritet të përmirësohen më tej kushtet për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore në këtë rajon, duke mundësuar prodhimtari më efikase dhe rritje të rendimenteve bujqësore.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se projekti do t’u mundësojë fermerëve që të kenë qasje më të mirë në ujë për ujitjen e tokave të tyre.
“Do të ketë mundësi për më shumë të korra, më shumë prodhimtari bujqësore dhe më shumë të ardhura për vetë fermerët. Në këtë mënyrë shpresojmë që një numër i madh i banorëve të këtij rajoni të kthehen sërish në tokat e tyre, ta gjallërojmë bujqësinë dhe të kemi prodhim më të madh të produkteve bujqësore, gjë që përbën një nga qëllimet kryesore të punës së kësaj Qeverie”, theksoi kryeministri.
Sistemi i plotë hidrik “Strajishtë” është projektuar për të përfshirë dhe mundësuar ujitje efikase të rreth 1.500 hektarëve tokë pjellore bujqësore në rajonin e Vallandovës.
Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe është pjesë e një investimi më të gjerë kapital që përfshin katër sisteme hidrike: “Strajishtë”, “Lisiçe”, “Konsko” dhe “Pepelishte”, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 13.000 deri në 13.650 hektarë tokë bujqësore.
