Hoxha në Hungari: Thellim i bashkëpunimit parlamentar në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një takim në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë me Márton Hajdu, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, dhe Ildikó Éva Sopov, kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane.

Gjatë takimit, Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme të Hungarisë ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë, që nga ratifikimi i hershëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit e deri në fazën vendimtare të sotme të negociatave për anëtarësim.

Ministri informoi se në takim u dakordësua për rëndësinë e thellimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit parlamentar, përmes grupeve aktive të miqësisë dhe shkëmbimeve praktike mbi të drejtën e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.

“Ndërsa Shqipëria punon për mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave, një dialog më i ngushtë mes komisioneve tona parlamentare mund të jetë një vlerë e shtuar e rëndësishme”, shtoi Hoxha.

Në këtë drejtim, Hoxha nënvizoi se zgjerimi nuk është vetëm punë e qeverive.

“Parlamentet miratojnë reformat, mbikëqyrin zbatimin e tyre dhe, në fund të procesit, ratifikojnë anëtarësimin. Një bashkëpunim më i fortë mes tyre i jep procesit legjitimitet më të thellë demokratik dhe e mban integrimin evropian pranë qytetarëve, të cilëve ai duhet t’u shërbejë”, u shpreh ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër