Nga mesazhi me biznesmenin te akuzat për lobimin në SHBA, deklaratat e Metës në GJKKO: Jam kërcënuar nga 5 përfaqësues ambasadash

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Ish-presidenti Ilir Meta ka bërë deklarata të forta gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme, ku po gjykohet për çështjen ndaj tij.

Top Channel raporton se ish-presidenti Meta ka mohuar përfshirjen e tij në financat e Partisë së Lirisë (ish-LSI), duke pretenduar se përgjegjësia për këto çështje i takonte sekretarisë ose kryesisë së partisë.

Ai u ndal edhe te çështja e lobimit, duke deklaruar se i vetmi rast kur ka ndërhyrë politikisht, por jo financiarisht, ka qenë parapagimi prej 15 mijë dollarësh, i cili sipas tij është kryer në mënyrë të ligjshme dhe me vendim të kryesisë.

Gjatë fjalës së tij, Meta përmendi edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, për të cilën përdori tone të ashpra, duke e cilësuar si “armike të përbetuar të Shqipërisë në shërbim të Serbisë”.

Ish-presidenti hodhi gjithashtu akuza për ndërhyrje nga përfaqësues të ambasadave të huaja në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ai pretendoi se, gjatë kohës që ishte President i Republikës, ishte kërcënuar nga pesë përfaqësues ambasadash për të mos emëruar Marsida Xhaferllarin, por Arta Vorpsin.

“A e di ajo gjykatë se jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferrllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi?, tha Meta.

Meta u shpreh se nuk përjashton mundësinë që, sipas tij, përmes manipulimeve të ngrihen edhe akuza absurde, deri në një komplot për vrasjen e presidentit amerikan John F. Kennedy.

Deklarata e plotë e Ilir Metës në GJKKO:

“Nuk habitem të ngrenë akuzë edhe për komplot për vrasjen e Kennedy-t me këto manipulime që janë bërë. Marrëveshja ka qenë mes dy subjekteve GSIS-Unifi. Kryetari i LSI-së vepron sipas ligjeve. Kryetari nuk ka pasur të bëjë me financat, i ka sekretaria ose kryesia e partisë. Aq më tepër për lobimet, asnjë shpenzim. Nëse ka një njeri që e di më mirë këtë, është zoti Kllapi. Ngushëllime për humbjen e nënës, se e mora vesh nga mediat. Kllapi e di mirë, jemi takuar para se të arrestohesha.

I vetmi rast i dokumentuar që kam ndërhyrë politikisht, jo financiarisht, është pagesa e ligjshme prej 15 mijë dollarësh si parapagim. Kjo është bërë me vendim kryesie. Nuk po i futem përrallave të tjera. Kanë qenë të diktuara nga Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë në shërbim të Serbisë.

Nëse prokurori ka të drejtë të njoftojë që kam bërë pagesa, nuk i kam bërë, sepse nuk kam marrëdhënie me Shatkun, as me askënd. Zonja ka të drejtën të mbrohet. Do të mbajë ajo përgjegjësi. Nuk e di cilës gjykatë i është referuar SPAK-u që prej dy vitesh të bllokoheshin informacionet nga GSIS për LSI-në.

A e di ajo gjykatë se jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë përfaqësues ambasadash të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi?

Ajo gjykatë nuk e di që unë iki që sot me shpenzimet e mia në SHBA, nëse ata kanë gjë me mua. Në SHBA edhe Maduron e arrestuan me mandat arresti. Ka të bëjë seriozisht me marrëdhëniet shqiptare amerikane. Çdo veprim e kam bërë përmes zonjës. Kontrata është aq e specifikuar, çdo gjë e verifikueshme.

Pretendimi i prokurorisë që qenka blerë shtëpi, qenka një mesazh 28 qershor 2009 se unë gjëja paskam mesazh me zotin Ismaili me 22 qershor, por oficeri i policisë gjyqësore e ka bërë me 28 qershor procesverbalin. “Takohemi nesër se më duhen 200 mijë patjetër”. Nuk ekziston një mesazh i tillë. Pse e ka bërë p.v me 28 në darkë, sepse me 29 qershor ishin zgjedhjet dhe mendonte se do fitonte partia e tij. DIA është regjistruar pas 14 muajsh në Shqipëri. Prokuroria është fiksuar te 200 mijëshi. I kërkoj prokurorisë t’i drejtohet DIA-s të Washingtonit, bëni një letër porosi. /tch/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër