Rritet numri i të prekurve nga diabeti, nevojitet diagnostikim i hershëm

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor Zhurnal.mk – Numri i personave të prekur nga diabeti po rritet, ndërsa diagnostikimi i hershëm i sëmundjes, matja e rregullt e nivelit të sheqerit në gjak, marrja e rregullt e terapisë dhe trajtimi bashkëkohor, si dhe ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik, janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve të sëmundjes.

“Në vendin tonë janë 135.000 persona me diabet, prej të cilëve 4.000 janë me diabet të tipit 1, ndërsa vlerësohet se pothuajse 40.000 persona të tjerë kanë diabet, por ende nuk janë diagnostikuar. Diabeti është sëmundje kronike që ka marrë përmasa pandemike. Federata Ndërkombëtare e Diabetit ka publikuar të dhëna sipas të cilave 693 milionë njerëz në botë vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo që shqetëson është se pothuajse 43 për qind e personave me diabet nuk janë të vetëdijshëm se e kanë këtë sëmundje kronike. Sipas të dhënave, afërsisht 50 për qind e komplikimeve te diabeti i tipit 2 janë tashmë të pranishme në momentin e vendosjes së diagnozës. Kjo do të thotë se diagnostikimi po bëhet me vonesë”, deklaroi sot në një konferencë për media drejtori i Klinikës Universitare të Endokrinologjisë, prof. dr. Irfan Ahmeti, me rastin e shënimit të 14 Nëntorit – Ditës Botërore të Diabetit, me moton “Vepro herët kundër diabetit”.

Ai bëri apel për kontrolle të rregullta parandaluese, përkatësisht për përfshirjen e të gjitha sistemeve në diagnostikimin e hershëm, me qëllim parandalimin e komplikimeve që prekin si enët e mëdha, ashtu edhe ato të vogla të gjakut. Sipas tij, diabeti i tipit 2, në fazat fillestare, nëse niveli i sheqerit në gjak nuk është shumë i lartë, nuk shfaq simptoma dhe për këtë arsye cilësohet si “vrasës i heshtur”, pasi shenjat dhe simptomat nuk janë gjithmonë të pranishme.

“Obeziteti është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për shfaqjen e diabetit dhe duhet të trajtohet me kohë, në mënyrë që të parandalohet gjendja paradiabetike dhe më pas zhvillimi i diabetit si sëmundje kronike. Rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe zbulimit në kohë të diabetit e dëshmon edhe kontrolli i djeshëm i realizuar te popullata jonë, me iniciativë të Asociacionit Mjekësor të Studentëve të Maqedonisë, ku morën pjesë 135 persona. Është konstatuar se te 16 për qind e personave të cilëve u është matur glikemia në gjak është diagnostikuar diabeti, ndërsa ata nuk e dinin se vuanin nga kjo sëmundje”, shtoi prof. dr. Ahmeti, duke u bërë apel qytetarëve që të mos presin shfaqjen e simptomave, por të kontrollojnë nivelin e glukozës në gjak te mjeku amë dhe të informohen për faktorët e rrezikut.

Kryetarja e Shoqatës së Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Maqedonisë, prof. dr. Milenkoviq, tha se parandalimi dhe ngritja e vetëdijes së përgjithshme shëndetësore janë më të rëndësishmet për zbulimin e hershëm, trajtimin në kohë dhe ofrimin e ndihmës së nevojshme për pacientët me diabet.

“Shumë të rëndësishme janë edhe terapia përkatëse dhe kontrolli, përkatësisht vetëkontrolli i të gjithë personave me diabet. Qasja në teknologjitë që kanë ndryshuar në mënyrë drastike jetën, veçanërisht të pacientëve me diabet të tipit 1, por edhe të atyre me tipin 2, si dhe qasja në terapitë që jo vetëm e trajtojnë diabetin, por edhe parandalojnë komplikimet, nuk duhet të jetë privilegj vetëm për një numër të caktuar pacientësh, por për të gjithë ata që kanë nevojë për to.

Parandalimi i hershëm, vetëdijesimi për diabetin, komplikimet dhe gjithçka që kjo sëmundje paraqet për sistemin tonë shoqëror dhe shëndetësor, janë mënyra për t’i ndihmuar të gjithë personat me diabet që të zvogëlojnë barrën e sëmundjes mbi veten, shoqërinë e tyre, sistemin shëndetësor dhe gjithë shoqërinë”, theksoi prof. dr. Milenkoviq, duke shtuar se nevojitet veprim i menjëhershëm, pasi numri i personave me diabet po rritet vazhdimisht.

Në konferencën për media ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili theksoi se në fushën e parandalimit duhet të arrihet një konsensus shoqëror për çështjet që lidhen me mënyrën e pashëndetshme të jetesës, të cilat ndikojnë në shfaqjen e diabetit, përkatësisht ushqimin dhe aktivitetin fizik.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pa 30 minuta aktivitet fizik në ditë, pa eliminimin e duhanpirjes dhe konsumimit të alkoolit, si dhe pa ushqim të përshtatshëm, nuk mund të presim shëndet dhe as qëndrueshmëri të sistemeve shëndetësore.

Në disa raste të mëparshme kam paraqitur ide lidhur me shëndetin, si ndalimi i shitjes së ushqimit të shpejtë në ndërtesat dhe hapësirat shkollore, organizimi i aktiviteteve për futjen e ushqimit të shëndetshëm dhe të freskët në shkolla, si dhe nxitja e aktiviteteve si ushqimi i ngadaltë (slow food) dhe kopshtet shkollore, në mënyrë që të rinjtë dhe fëmijët që në moshë të hershme të mësohen me një mënyrë të tillë të ushqyerit. Gjithashtu, duhet t’u bashkohemi 110 vendeve që kanë vendosur taksë për sheqerin e shtuar në pijet e ëmbla. Në Maqedoni, pija ‘Fanta’ përmban tri herë më shumë sheqer sesa e njëjta pije në Slloveni”, tha Klekovski.

Sipas tij, kjo taksë duhet t’i nxisë prodhuesit ose ta paguajnë atë, ose të ndryshojnë formulën e produkteve dhe të ulin përqindjen e sheqerit në pije.

“Për këtë nevojitet konsensus shoqëror. Në parim, jam kundër ndëshkimeve dhe ndalimeve, sepse pa ngritjen e vetëdijes publike efektet e tyre janë shumë të vogla. Kjo temë duhet të trajtohet gjithnjë e më shpesh. Çështja e dytë është zbulimi i hershëm. Duhet të mendojmë se si kontrollet sistematike mund të shfrytëzohen për diagnostikimin e hershëm. Çdo vit realizohen qindra mijëra kontrolle sistematike te popullata në moshë pune, e cila mund të përfshihet në kategoritë demografike me rrezik. Mendoj se kjo duhet të bëhet sa më shpejt, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe përmes ndryshimeve në Ligjin për Evidencën Shëndetësore.

Pra, nuk mjafton vetëm të realizohen kontrollet sistematike, por rezultatet e tyre duhet të përfshihen edhe në evidencën e unifikuar shëndetësore”, tha Klekovski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai tha se nuk mund të trajtohen të gjithë me “Ozempic” dhe se disa persona duhet të bëjnë 8.000 hapa në ditë dhe të ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit.

“Duhet të flasim edhe për përgjegjësinë personale. Nuk mund të presim që nga njëra anë të jetojmë në mënyrë të pashëndetshme, ndërsa nga ana tjetër të kërkojmë që shteti të marrë përgjegjësinë për t’i neutralizuar pasojat e këtyre mënyrave të pashëndetshme të jetesës. Duhet të flasim për këtë, sado jopopullore të jetë. Shteti nuk mund të marrë përsipër përgjegjësinë për një popullatë që plaket në mënyrë të pashëndetshme, ndërkohë që nuk ka kush të kontribuojë në anën e të ardhurave. Secili duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun”, shtoi Klekovski.

Sipas prof. dr. Milenkoviq, për pacientët me diabet të tipit 1 është jashtëzakonisht e rëndësishme të kenë monitorim cilësor dhe të vazhdueshëm të nivelit të glukozës në gjak, pasi nga kjo varen rregullimi ditor i glukozës dhe ecuria e sëmundjes.

Në konferencën për media u bë e ditur se sensorë për matjen e vazhdueshme të glukozës janë siguruar për të gjithë pacientët me diabet deri në moshën 25-vjeçare, numri i të cilëve është 800. Prej tyre, 350 janë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër janë të moshës 18 deri në 25 vjeç.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër