Shkup, 14 nëntor, Zhurnal.mk – Ka përparim në procesin e reformave në gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, por ende pritet miratimi i një Kodi të ri Penal dhe një Ligji të ri për Procedurën Penale, vlerëson shefi i Misionit të OSBE-së në vend, ambasadori Kilian Vall.
Në një intervistë për MIA-n, Vall thekson se reforma në gjyqësor është një proces kompleks, por sipas tij ekziston përkushtim nga institucionet dhe Qeveria për avancimin e saj.
“Lajmi i mirë është se ka përparim. Reforma në gjyqësor është komplekse, por shoh përkushtim si nga qeveria, ashtu edhe nga institucionet”, deklaroi Vall.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet e nevojshme që të përfundojnë edhe disa procese të rëndësishme ligjore, veçanërisht miratimi i Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për Procedurën Penale.
“Megjithatë, ende presim miratimin e një kodi të ri penal dhe të një ligji të ri për procedurën penale. Jam i bindur se kjo do të ndodhë”, tha ambasadori Vall.
Sipas tij, vazhdimi i reformave në gjyqësor është i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin më efikas të institucioneve të drejtësisë.

