Filipçe: Maqedonia e Veriut renditet në fund të listës sa i përket bruto prodhimit vendor

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se prodhimi industrial shënon tendenca pozitive, ndërsa qarkullimi në industri është rritur për më shumë se 5,5 për % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Ai theksoi se treguesit pozitivë janë veçanërisht të rëndësishëm duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në botë dhe në Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë. Sipas Mickoskit ky nuk është një lajm i mirë për ata që siç thotë ai dëshirojnë që vendi të shënojë rezultate negative.

“Të gjithë indikatorët tregojnë atë që ne e kemi thënë që në fillim, se duhet durim, se duhet t’i konsolidojmë gjërat gradualisht dhe ja, më në fund, pas pothuajse dy vjet e gjysmë, kemi arritur në pikën zero, ndërkohë që më parë ishim në një deficit të thellë. Kemi arritur në pikën zero, aty ku duhet të fillojë dikush që është në pushtet, dhe nga ky moment pres vetëm rritje.”

Ndërkaq duke iu referuar gjendjes ekonomike reagim pati nga kryetari I LSDM-së Venko Filipçe. Ai tha se RMV rënditet në fund, në vendin e 41-të në Evropë për sa i përket Bruto Prodhimit Vendor të projektuar për kokë banori dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar ia rrëzoi përallat Mickoskit për ekonominë e tretë në Evropë. Sipas tij kjo është gjendja reale e ekonomisë maqedonase, dhe jo përrallat e Mickoskit për ekonominë e tretë në Evropë dhe gënjeshtrat për rritjen më të shpejtë të pagave dhe pensioneve.

“Çfarë ekonomie e tretë?! Maqedonia e Veriut është në fund të Evropës. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Maqedonia e Veriut rënditet në vendin e 41-të mes 48 ekonomive evropiane për sa i përket Bruto Prodhimit Vendor projektuar për kokë banori. Parashikimet e FMN-së thonë se BPV-ja për kokë banori në RMV do të arrijë në 11.762 dollarë. Nga vendet e rajonit, para nesh rënditen Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria. E gjithë kjo është ajo që LSDM-ja e thotë gjatë vitit të fundit. Tani kjo është konfirmuar edhe nga FMN-ja”.

Filipçe theksoi se ekonomia e vendit është shumë prapa ekonomive më të pasura të Evropës, ndërsa qytetarët e ndiejnë çdo ditë këtë dallim mbi kurrizin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër