Mbi 10 ligje të bllokuara në Kuvend, shumicës parlamentare i mungojnë pesë vota për Badenterin

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor Zhurnal.mk – Mbi 10 ligje sistemore janë bllokuar në Kuvend për shkak se shumica parlamentare VMRO- VLEN nuk ka shumicë badenterit, i cili është mekanizëm kushtetues për të mbrojtur komunitetet joshumicë, veçanërisht shqiptarët, në vendimmarrjen parlamentare.

Ligji që më së gjati pret për miratim është për ai për Vetëqeverisje lokale, i cili parashikon që edhe kryetarët e komunave të shkarkohen nëpërmjet referendumit dhe shumë risi të tjera. Ky ligj ka hyrë në procedurë që më 7 maj të vitit 2025, ndërsa ka mbetur në lexim të dytë.I bllokuar mbetet edhe ligji i shumëpërfolur për përfaqësim të drejtë, i cili duhet ta zëvendësojë Balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024. Rëndësia e këtij ligji është mjaftë e madhe, pasi në shtet nuk ka një mekanizëm ligjor që ndjekë përfaqësimin e drejtë.

Badenterin e presin edhe ndryshimet ligjore për reforma në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Ndonëse pati debate dhe diskutime të shumta, miratimi duket të jetë i vështirë.

Të bllokuar mbeten edhe ndryshimet ligjore për veprimtari kërkimore-shkencore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe Ligjit për Polici e Kodi Zgjedhor.

Krahas tyre, ka edhe mbi pesë ligje të tjera te të cilat duhet të bëhen intervenime teknike, apo harmonizim me Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës.

Listës së ligjeve të bllokuara për shkak Badenterit, pritet t’i shtohet edhe ligji i shumëpërfolur për Provimin e Jurisprudencës, pasi opozita shqiptare ka paralajmëruar bllokadë. Badenter do të nevojitet edhe për ndryshimet ligjore që i paralajmëron Avokati i Popullit, por edhe ligjin e diskutueshëm për festat shtetërore.Në përbërjen aktuale të Kuvendit, prej 120 deputetëve, 39 janë të komuniteteve, e prej të cilëve 30 janë shqiptarë, ndërsa 9 të komuniteteve tjera më të vogla. Shumica e Badenterit në këtë rast është 20 deputetë.

Aktualisht, shumica parlamentare i ka 15 vota, VLEN 11, ndërsa koalicioni i VMRO-së 4. Që do të thotë se u mungojnë edhe 5 vota. Nga ana tjetër, 23 apo 24 deputetë që kanë drejtë vote me badenter janë të partive opozitare, ku më së shumti ka Fronti Evropian – 12. Pastaj ASH-ja dhe LSH-ja nga 3. E Majta dhe LSDM nga 2 dhe PDSH 1. Ilir Demiri është deputet i pavarur, i cili nga opozita u afrua me shumicën parlamentare, megjithatë mbetet pikëpyetje veprimtaria e mëtutjeshme.

Është me rëndësi të theksohet se deputetët e Badenterit nga radhët e opozitës nuk votojnë gjithmonë njësoj. Për ligje dhe çështje të caktuara, pozicionet e tyre mund të jenë edhe të ndryshme, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me ndjeshmëri etnike.

Në disa çështje, rrethanë lehtësuese për shumicën parlamentare është i ashtuquajturi badenter i vogël. Ky rast nënkupton që ligjet mund të votohen jo nga numri i përgjithshëm i deputetëve të badenterit, por nga numri i deputetëve të badenterit që ndodhen në sallë kur votohet ligji.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër