Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë pranë Parkut të Liqenit, drejt jetësimit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit në Tiranë, është drejt jetësimit, me një model të ri menaxhimi që po hartohet në bashkëpunim me UNICEF-in.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se në një takim me përfaqësues të UNICEF-it në Shqipëri, mes tyre Murat Sahin dhe ekipin këshillues, u prezantua puna për Planin e Menaxhimit të qendrës.

Sipas Gonxhes, kompleksi i ri do të ofrojë hapësira moderne për edukimin artistik, krijimtarinë dhe zhvillimin e talenteve të reja. Në fokus të bashkëpunimit është programacioni artistik dhe edukativ, përmes programeve në teatër, muzikë, balet, arte pamore dhe disiplina të tjera krijuese.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një rrjeti bashkëpunimi me qendrat kulturore në të gjithë vendin, shkollat, institucionet artistike dhe profesionistët e artit, me synimin për të nxitur pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitete dhe zbulimin e talenteve të reja.

Paralelisht me përfundimin e punimeve, mobilimin dhe pajisjen e ambienteve me teknologji audiovizive e skenike, po punohet për një model profesional dhe të qëndrueshëm administrimi, i cili do të përfshijë kalendar publik aktivitetesh, shërbime digjitale, standarde sigurie dhe partneritete për garantimin e cilësisë dhe vazhdimësisë së programeve.

Gonxhja e cilësoi qendrën një investim të rëndësishëm për fëmijët, familjet, artistët dhe edukatorët, me synimin që ajo të kthehet në një pikë referimi për krijimtarinë dhe edukimin kulturor bashkëkohor, si dhe për zhvillimin e brezave të ardhshëm të artistëve shqiptarë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër