Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Pacientët janë kthyer sërish sot në mëngjes nga Klinika e Onkologjisë me shpjegimin shtesë se “mos prisni që ilaçi të arrijë deri në Vitin e Ri”. Bëhet fjalë për ciklet e kimioterapisë me ilaçin Paclitaxel, i cili administrohet në ditë saktësisht të caktuara, ndërsa shtyrja e terapisë çon në vazhdimin e progresit të sëmundjes. Me këtë, sipas partisë Levica, vihet në rrezik jeta e të gjithë pacientëve të operuar.
“Paclitaxel ndalon ndarjen e qelizave kancerogjene. Kur terapia ndërpritet për një periudhë më të gjatë, qelizat tumorale të mbetura fitojnë kohë për t’u shumuar sërish dhe tumoret të rikthehen. Me gjasë, Klekovski, i cili asnjëherë nuk ka trajtuar pacientë, nuk i di pasojat e mungesës së Paclitaxelit. Për shkak të mungesës së njohurive dhe papërgjegjësisë, ai po i shtyn pacientët drejt vdekjes. Sikur ta kuptonte këtë, të paktën do të përpiqej të gjente një mënyrë të jashtëzakonshme për sigurimin e ilaçit. Alarmante është se kjo nuk është çështje nëse shteti ka para apo jo, nëse Klekovski i paguan tenderët apo jo. Pacientët tashmë kanë filluar terapinë, një terapi që nuk mund të ndërpritet lehtësisht dhe duhet të vazhdohet”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga Levica shtojnë se protokollet onkologjike janë të llogaritura në mënyrë rigoroze sipas intervaleve kohore, qoftë javore apo çdo 21 ditë, për të arritur efektin maksimal.
“Shtyrja e cikleve për më shumë se dy deri në katër javë e ul drejtpërdrejt shkallën e remisisionit të plotë. Ndërprerjet në dozimin e terapisë u mundësojnë qelizave tumorale të zhvillojnë mekanizma rezistence. Kur ilaçi të bëhet sërish i disponueshëm pas një muaji, ekziston rreziku që tumori të mos reagojë më ndaj Paclitaxelit, gjë që i detyron mjekët të kalojnë në linja të tjera trajtimi, shpesh më agresive ose më pak efektive. Pavarësisht rrethanave dhe mënyrave, Paclitaxeli duhet të sigurohet menjëherë për pacientët onkologjikë”, thuhet në reagimin e Levicës.

