Aktivistët ekologjikë marsh protestues në Shkup kundër lejes së fabrikës së çimentos

Nga Xh M
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor Zhurnal.mk – Aktivistët ekologjikë nga iniciativa “Stop për Usje” dhe qytetarë protestuan mbrëmjen e së hënës në Shkup, duke kërkuar që vendimi për rinovimin e lejes A të integruar për fabrikën e çimentos “Usje” të merret sipas standardeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit, raporton Anadolu.

Protestuesit, të cilët marshuan nga Kuvendi deri te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dërguan mesazhe si: “Jo leje e re me rregulla të vjetra”, “Shëndeti para fitimit” dhe “Shkupi i qytetarëve, jo i industrisë”.

Organizatorët edhe në muajt e kaluar kanë organizuar aktivitete kundër ndotjes së ajrit.

Kërkesa për rinovimin e lejes është dorëzuar dhe publikuar më 22 maj në faqen e ministrisë, si dhe i është përcjellë autoriteteve lokale. Pas kësaj ka rrjedhur afati njëmujor për shqyrtimin e dokumentacionit dhe paraqitjen e vërejtjeve.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ka deklaruar se afati ligjor për dorëzimin e komenteve ka përfunduar më 22 qershor, ndërsa në javën e parë të korrikut pritet të mbahet debat publik për këtë çështje.

Sipas tij, procedura po zhvillohet sipas ligjit aktual, por leja do të rinovohet duke marrë parasysh Ligjin e ri për kontrollin e emetimeve industriale, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator të vitit të ardhshëm dhe parasheh standarde më të rrepta mjedisore.

Ministri gjithashtu ka njoftuar se po përgatitet një regjistër i kapaciteteve industriale me leje A të integruar dhe se operatorët do të kenë detyrim të raportojnë matjet, të cilat ministria do t’i publikojë në faqen e saj zyrtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër