Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Policia e trafikut e Maqedonisë, si anëtare e Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut (ROADPOL), në periudhën nga 16 deri më 22 nëntor të këtij viti po realizon kontrolle të intensifikuara rrugore në kuadër të aksionit ndërkombëtar “Truck & Bus”, që synon rritjen e sigurisë së autobusëve dhe automjeteve transportuese në qarkullimin rrugor.
i i aksionit është parandalimi i aksidenteve rrugore, zbulimi dhe sanksionimi me kohë i kundërvajtjeve, si dhe ngritja e nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Gjatë kontrolleve, vëmendje e veçantë i kushtohet gjendjes teknike dhe pajisjeve të sigurisë së autobusëve dhe automjeteve transportuese, përmbushjes së kushteve ligjore për transportin e organizuar të fëmijëve, si dhe respektimit të rregullave gjatë organizimit të udhëtimeve shkollore, edukative dhe rekreative. Gjithashtu, kontrollohen gjendja psikofizike dhe aftësia e shoferëve për drejtimin e sigurt të automjeteve, si dhe përmbushja e detyrimeve të tjera ligjore në transportin rrugor.
Paralelisht me këto aktivitete, zyrtarët policorë realizojnë kontrolle të intensifikuara edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, me theks të veçantë në mosrespektimin e kufizimeve të shpejtësisë, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikotrope, mospërdorimin e rripit të sigurisë, transportin e parregullt të udhëtarëve dhe kundërvajtjet e tjera që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë në rrugë.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel shoferëve, transportuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë denjësisht rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të tregojnë një nivel të lartë përgjegjësie gjatë pjesëmarrjes në trafik. Siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa respektimi i rregullave, gjendja e rregullt teknike e automjeteve dhe sjellja e përgjegjshme janë thelbësore për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve.
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me aktivitete të vazhdueshme parandaluese dhe kontrolle të intensifikuara në trafik, në bashkëpunim me partnerët evropianë, me qëllim avancimin e kulturës së trafikut dhe krijimin e rrugëve më të sigurta për të gjithë qytetarët.

