Tiranë, 2 maj Zhurnal.mk – Vlera e kredive të fshira nga sektori bankar u rrit për vitin 2025. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar bankat nxorën jashtë bilanceve rreth shtatë miliardë lekë kredi të humbura, 192% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rreth 85% e vlerës së kredive të fshira u takonte bizneseve.
Që nga janari 2015, kur nisën të zbatoheshin kërkesat rregullatore për nxjerrjen e kredive të humbura jashtë bilanceve, bankat kanë fshirë rreth 90 miliardë lekë kredi të humbura.
Fshirja bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, nuk ka ndonjë impakt në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%, para fshirjes së tyre nga bilanci.
Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë.
Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar ra në 3.8%, nga 4.2% që kishte qenë në fund të vitit 2024, duke prekur nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.
Në vlerë, stoku i kredive me probleme shënoi vlerën e 36 miliardë lekëve dhe brenda këtij portofoli, është vënë re zgjerim i stokut të kredive me probleme të klasifikuara si “të dyshimta”.
