Bardhi: Mazhoranca merr vendime arbitrare dhe të paligjshme kundër opozitës

Nga D. V.
100 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 Prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për shfuqizimin e masave disiplinore ndaj disa deputetëve të opozitës, duke i cilësuar ato si “arbitrare” dhe “të paligjshme”.

Në një deklaratë publike, Bardhi akuzoi mazhorancën për ushtrim të pushtetit në mënyrë të padrejtë ndaj opozitës, duke theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon, sipas tij, shkeljet e bëra në Kuvend.

“Vendimi i Gjykatës për paligjshmërinë e përjashtimit të kolegëve është një sinjal alarmi se në Shqipëri nuk sundon shteti ligjor, por Partia-Shtet”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se opozita do të vijojë rezistencën parlamentare, ndërsa bëri thirrje për reagim qytetar, duke theksuar nevojën për “një qeverisje me integritet dhe llogaridhënie”.

“Në Parlament, ne do të vazhdojmë të rezistojmë ndaj një pushteti që e ka zëvendësuar ligjin me vullnetin e keq të Kryeministrit, por, sot, deputetët dhe qytetarët kanë një mision të përbashkët: të protestojmë për të fituar të drejtën për t’u qeverisur nga një ekip me integritet, që jep llogari dhe nuk vjedh qytetarët”, theksoi Bardhi.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi shfuqizimin e masave disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare” për 30 ditë ndaj deputetëve të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër