BDI: Komuna e Tetovës dhe Qeveria i lanë pa mbrojtje emërtimet në shqip të rrugëve

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Komunën e Tetovës dhe Qeverinë se me mosveprim institucional kanë kontribuar drejtpërdrejt në shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Tetovë nga Gjykata Kushtetuese.

Partia opozitare e bazon qëndrimin e saj në arsyetimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, ku thuhet se gjatë procedurës gjyqësore janë dërguar katër kërkesa zyrtare ndaj Komunës së Tetovës dhe tri kërkesa ndaj Qeverisë për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm që do të mundësonte shqyrtimin e plotë të lëndës.

Sipas BDI-së, as Komuna dhe as Qeveria nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, duke lënë pa mbrojtje vendimin që për gati dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban të Tetovës.
“Në shtatë raste të ndara, institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe OBRM-PDUKM nuk ndërmorën as hapin më elementar për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve të Tetovës”, thuhet në reagimin e partisë.

BDI e cilëson situatën si një “skandal institucional” dhe ngrit dyshime për mënyrën se si është trajtuar çështja nga autoritetet kompetente. Partia kërkon sqarime publike se kush ka vendosur që Komuna e Tetovës të mos e mbrojë vendimin dhe pse Qeveria nuk ka reaguar edhe pas tri kërkesave të Gjykatës Kushtetuese.

artikuj të ndërlidhura