Begaj i kërkon Ekuadorit të njohë Kosovën: Kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht Zhurnal.mk – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar Ekuadorit të shqyrtojë mundësinë e njohjes së Republikës së Kosovës.

Kërkesa u bë gjatë takimit me ambasadorin e ri të Ekuadorit, Esteban Assar Moscoso Bohman, i cili i dorëzoi Begajt Letrat Kredenciale në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Shqipërisë.

Gjatë takimit, Begaj i uroi ambasadorit sukses në misionin e tij diplomatik dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sipas RTSH-së, presidenti shqiptar vlerësoi bashkëpunimin Shqipëri-Ekuador në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ekuadorit për Kosovën.

Begaj kërkoi që Ekuadori të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar një hap të tillë si kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ekuadori është ndër shtetet që ende nuk e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës.

Shqipëria ka lobuar vazhdimisht me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, duke kërkuar mbështetje për forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura