Shqiptarët vijojnë të mbajnë paratë në portofol/ 5.4 mld euro “cash”, paraja e xhepit sfidon bankat pavarësisht kufizimeve të vendosura

Nga Xh M
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Jo gjithçka që qarkullon në ekonomi kalon nga bankat. Shqiptarët vijojnë të mbajnë një pjesë të madhe të parave në portofol, në shtëpi apo në arkë, duke e bërë paranë cash ende kryesoren e pagesave.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në fund të qershorit 2026, paraja jashtë bankave arriti në 505.7 miliardë lekë, ose rreth 5.4 miliardë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte 441.9 miliardë lekë, vlera është rritur me 14.4%, ose me afro 683 milionë euro.

Rritja nuk është vetëm vjetore. Brenda këtij viti, stoku i parasë cash është shtuar muaj pas muaji. Nga 481.2 miliardë lekë në janar, ai u rrit lehtë në shkurt dhe mars, për të marrë ritëm më të shpejtë në prill e maj.

Vetëm gjatë muajit qershor u shtuan rreth 11.8 miliardë lekë, krahasuar me majin, duke e çuar totalin mbi 505 miliardë lekë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar deri tani.

Në një këndvështrim më afatgjatë, ritmi mbetet edhe më domethënës. Krahasuar me dy vite më parë, paraja jashtë bankave është rritur me 27.9%, ndërsa, në raport me qershorin e vitit 2023, rritja arrin në rreth 30%.

Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimit të pagesave elektronike dhe përdorimit në rritje të kartave bankare, preferenca për të kryer pagesa me para në dorë mbetet ende shumë e fortë.

Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i lartë i cash-it krijon më shumë hapësira për ekonominë informale, e bën më të vështirë gjurmimin e transaksioneve dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Për të frenuar këtë fenomen, gjatë këtij viti kanë hyrë në fuqi kufizime të reja për pagesat cash. Qytetarët nuk mund të kryejnë blerje mbi 5 mijë euro me para në dorë, ndërsa për bizneset kufiri është ulur në 1 mijë euro. Gjithashtu, strukturat akomoduese, institucionet publike dhe sektori i transportit janë të detyruara të ofrojnë edhe pagesat me kartë. Megjithatë, shifrat tregojnë se ndryshimi i zakoneve të konsumatorëve mbetet ende një proces i ngadaltë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër