Dhuka: Shqipëria në moment kyç drejt BE-së, 2025-a vit historik për çeljen e 33 kapitujve

Nga D. V.
425 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, deklaroi sot se Shqipëria ndodhet në një moment kyç në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa viti 2025 shënoi një kapërcim historik me çeljen e negociatave në të 33 kapitujt.

Duke folur në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe të kabinetit qeveritar, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Dhuka theksoi se hapja e të gjithë kapitujve përbën një moment të paprecedentë për vendin.

“Në vitin 2025, në një kapërcim historik përpara, Shqipëria çeli negociatat në të gjitha fushat, në 33 kapitujt, siç quhen në gjuhën e negociatave. Kjo çelje e mundësisë për bisedime për anëtarësim është një portë e madhe që hapet në rrugën drejt destinacionit- anëtarësimit në familjen europiane”, u shpreh ajo.

Sipas ministres, kjo portë e hapur për t’u ulur në tryezën e bisedimeve është “shprehja më e lartë e vullnetit të qartë, kristal, të mbështetjes politike për Shqipërinë europiane nga 27 vendet anëtare të BE-së”.

“Në këtë rrugë ecim në çdo hap me Komisionin Europian dhe kemi mbështetjen fuqizuese të Komisionit Europian”, deklaroi Dhuka.

Ajo nënvizoi se ky zhvillim mund të duket surprizues për disa, por është rezultat i një pune të përditshme dhe sistematike, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit, pas rekomandimit pozitiv të Komisioni Europian në vitin 2019 për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

“Ky kapërcim historik flet për aftësinë e vendit si i tërë, për institucionet shqiptare dhe profesionistët tanë. Ai ka energjinë e një vullneti politik të palëkundur për Shqipërinë Europiane 2030”, tha ajo.

Duke e cilësuar integrimin europian si një mision të përbashkët, Dhuka falënderoi deputetët për bashkëpunimin e treguar gjatë vitit 2025.

Ministrja bëri të ditur se gjatë 14 muajve të fundit janë miratuar 75 ligje dhe akte nënligjore me karakter transformues europian, në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sigurinë, barazinë sociale dhe të drejtat e njeriut.

“Shqipëria miratoi 75 ligje dhe akte të tjera të ngjashme vetëm në 14 muajt e fundit, të gjitha të biseduara me kujdes dhe nën frymën e rekomandimeve cilësore të Komisionit Europian dhe të trupës së ligjit europian”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Kuvendi me një vullnet të palëkundur europian ka mandatuar standardin europian në disa paketa të rëndësishme ligjore, përfshirë ndryshimet në Kodin Penal, ligjet për sistemin e drejtësisë, ligjet për substancat psikotrope, luftën kundër drogës, kontrollin e eksporteve dhe parandalimin e trafikut të armëve, si dhe ligjin për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të paketës antikorrupsion, ajo përmendi ligjet kundër konfliktit të interesit, për sinjalizuesit dhe për lobimin.

“Për herë të parë, Shqipëria normon lobimin në ligjbërje. Ndërkohë kemi në proces një projektligj të ri për donacionet dhe sponsorizimet si masë për parandalimin e korrupsionit”, tha Dhuka.

Ministrja theksoi gjithashtu progresin e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmendur punën e SPAK dhe GJKKO.

“Institucionet e drejtësisë gjatë vitit 2025 forcuan dhe konsoliduan rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në hetim ashtu edhe në gjykim penal”, deklaroi ajo.
Sa i përket procesit të negociatave, Dhuka bëri të ditur se BE i rekomandon Shqipërisë të përmbushë rreth 101 piketa përmbyllëse në të 33 kapitujt.

“Puna për këto piketa ka filluar. Për vitin 2026 po përgatitemi për disa paketa të reja ligjore në fusha kyçe të ekonomisë dhe tregut”, tha ajo.

Në fushën e biznesit dhe shoqërive tregtare, sipas saj, është përgatitur një paketë me nëntë projektligje në konsultim me Komisionin Europian, ndërsa në fushën e mbrojtjes së konsumatorit është hartuar një paketë ligjore me në qendër projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe ngritjen e një agjencie të posaçme.

Sa i përket shërbimeve, ajo theksoi se Shqipëria ka hartuar ligjin për shërbimet sipas standardit europian dhe do ta paraqesë së shpejti në Kuvend.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria do të nxisë eksportin e shërbimeve drejt BE-së dhe potenciali është i madh”, përfundoi Dhuka.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër