Shkup, 08 Maj, Zhurnal.mk – E Ngarkuara me Punë, Nicole Varnes, pranë ambasadës amerikane dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kanë mbajtur sot një takim për „dialogun strategjik“ midis të dy vendeve.
Ambasada amerikane tha se që të dy diskutuan „takimin e fundit të Dialogut Strategjik SHBA-Maqedoni e Veriut dhe rolin e rëndësishëm që luan legjislatura në avancimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.“
Zyra e Gashit tha se ai me Varnes, diskutuan për “ecurinë e proceseve legjislative dhe forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve,” shkruan Zhurnal.mk
Takimi mbahet pasi që javën e kaluar kuvendi bëri ndryshime në ligjin për miniera, me të cilin thjeshtësohen dhe përshpejtohen procedurat për dhënien e licencave për hulumtim e nxjerrje të xeheve nëntokësore.
Në fillim të prillit, në kuadër të “dialogut strategjik” qeveria amerikane i ndau 5 milionë dollarë qeverisë së Mickoskit për të filluar nxjerrjen e xehes së antimonit në tre lokacione.
Antimoni përdoret për t’i bërë metalet e tjera më të forta
Hulumtimet deri më tani thonë se antimoni gjendet në tre lokacione në Maqedoninë e Veriut: pranë Krivapalankës (Projekti Krstov Dol); në fshatin Lojane në komunën e Likovës; dhe në malet Kozhuf (miniera Alshar) në komunën e Kavadarit.
Partia opozitare LSDM ditë më parë ka bërë thirrje për një referendum në komunën e Krivo Palankës ku gjendet një nga minierat me xehen Antimon, por qeveria e Kryeministrit Hristijan Mickoski po e injoron thirrjen.
Një organizatë joqeveritare mjedisore e Maqedonisë së Veriut ka bërë thirrje kryetares së të vendit Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova që të mos nënshkruajë ligjin e ndryshuar nga shumica parlamentare.
OJQ-ja ‘Lugina e Shëndetshme tha se ndryshimet e bëra në ligj lidhje me licencat janë në shkelje të Kushtetutës mbi të drejtën e pronës.
Në Washington në fillim të prillit në kuadër të “dialogut strategjik” të dy qeveritë kanë nënshkruar edhe një Memorandum i Mirëkuptimit (MoU) për furnizim me gaz të lengshëm (ang. LNG) nga SHBA për Maqedoni të Veriut, meqë vendi tashmë është duke ndërtuar lidhjen e tubacionit me Greqinë për t’u furnizuar me LNG amerikane nga terminal grek Aleksandropoulos.
Punimet pritet që të përfundojnë në fund të vitit 2027. Me këtë LNG, Maqedonia e Veriut po bëhet gati që të ndërtojë në termocentral me gaz për prodhim të rrymës elektrike për fillim, e sipas qeveritarëve ndërtimi edhe i tr e të tjerëve po planifikohet. / Zhurnal.mk
