“Nuk jeni diasporë”/ Ministri Lamallari ndaj protestuesve nga Maqedonia dhe Kosova: Jeni të mirëpritur, por kurseni refrenin e emigrantit

Nga Xh M
1,008 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 qershor Zhurnal.mk – Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari i është bashkuar reagimit të kryeministrit Rama lidhur me shqiptarët e Maqedonisë e Kosovës për të cilët tha se s’janë “diasporë.”

Lamallari shkruan në rrjetet sociale se makinat me targat e Kosovës e Maqedonisë, plis, xhamadan e flamur kombëtar i ngjajnë një skenari filmash. Ai u kujton se ishte kryeministri Rama ai që kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd. Ministri thotë se janë të mirëpritur, por ta kursejnë “refrenin e emigrantit të dobët.”

“Me targa KS dhe MK, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!

Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.

Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.

Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vëllai-vëllain.

Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.

P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruan ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër