Dogana dhe AKEP forcojnë bashkëpunimin për përshpejtimin e procedurave të dërgesave postare

Nga D. V.
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 gusht, Zhurnal.mk –  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me fokus adresimin e çështjeve të ngritura nga operatorët postarë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të modernizimit të procedurave doganore.

Në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit nga operatorët e postave të shpejta dhe Posta Shqiptare, me synim mundësimin e zbatimit të mekanizmit të Njoftimit Para Mbërritjes (Pre-Arrival Notification) për dërgesat postare brenda vitit 2026.

Sipas Doganës Shqiptare, ky mekanizëm do të mundësojë përpunim më të shpejtë dhe më efikas të dërgesave postare, duke krijuar njëkohësisht kushte për përmirësimin e analizës së riskut dhe forcimin e kontrolleve doganore.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e koordinimit ndërinstitucional për të garantuar shkëmbimin në kohë të informacionit dhe përshtatjen e sistemeve teknologjike me standardet bashkëkohore të menaxhimit doganor, në funksion të rritjes së efikasitetit të shërbimeve.

Dogana Shqiptare bëri të ditur se bashkëpunimi me AKEP-in dhe operatorët postarë synon krijimin e një sistemi më të sigurt dhe më transparent për administrimin e dërgesave postare, duke lehtësuar procedurat për qytetarët dhe bizneset, por edhe duke rritur kapacitetet për parandalimin e informalitetit, kontrabandës dhe evazionit fiskal në tregtinë elektronike.

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të mëtejshëm të procedurave doganore dhe përafrimit të tyre me praktikat më të mira ndërkombëtare, në mbështetje të zhvillimit të tregtisë elektronike dhe rritjes së sigurisë në zinxhirin e furnizimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër